Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur rreth fitores së Albin Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Serwer tha se nuk ka arsye pse të ketë përfaqësues të Listës Serbe në qeverinë e ardhshme, pavarësisht nga fitorja pothuajse absolute e Albin Kurtit.
Në një intervistë për mediumin serb në Kosovë “Kosovo Online”, Serwer tha ndër të tjera se pret nga administrata Biden të respektojë zgjedhjen demokratike të qytetarëve të Kosovës.
Albin Kurti tha se dialogu me Beogradin nuk është prioritet i tij, por të gjitha urimet nga zyrtarët e BE-së theksuan rëndësinë e dialogut. A është ky presion ndaj Kurtit?
Po, por ai duhet t’u përgjigjet atyre: “Çfarë do të bësh për mua? Ma heq regjimin e vizave?”.
A mendoni se Kurti do të përfshijë anëtarë të pakicës në qeveri, përfshirë përfaqësuesit serbë, Listën Serbe?
Supozoj. Kjo kërkohet nga Kushtetuta, megjithëse nuk është e nevojshme që ata të jenë nga Lista Serbe, nëse e kuptoj mirë.
A prisni, pas formimit të qeverisë në Kosovë, që Vuçiq dhe Kurti të takohen brenda dialogut deri në fund të vitit. Ju vetë keni deklaruar që pas përfundimit të këtij viti, negociatat serioze me Serbinë nuk do të jenë të mundshme?
Takimi është i lehtë. Arritja e diçkaje është e vështirë.
Çfarë qëndrimi prisni nga administrata amerikane ndaj Kurtit dhe Vjosa Osmanit?
Unë pres që administrata e Bidenit të respektojë zgjedhjen demokratike të qytetarëve të Kosovës. Nuk ka asnjë arsye për të mos e mirëpritur ngrohtësisht bashkëpunimin me Albin dhe Vjosën.
Nëse Kurti nuk siguron dy të tretat për zgjedhjen e presidentit, a do ta sjellë kjo Kosovën në një krizë të re?
Mundet, por “kriza” mund të jetë një theks i tepërt. Kosova do të gjejë një mënyrë për ta zgjedhur një president. Është pjesë e punës së kryeministrit për të arritur një marrëveshje për këtë.
A është marrëveshja e Washingtonit “e vdekur” tani pas fitores së Kurtit?
Jo domosdoshmërisht. Marrëveshja kurrë nuk arriti shumë më tepër sesa aplikimi i disa lidhjeve të transportit për të cilat veçse kishte dakordancë. Kjo nuk është një ide e keqe.