Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është konfirmuar vdekja e Faton Hajrizit me 19 korrik në afërsi të fshatit Lloznicë në Serbi.
Sipas MPJD, autoritetet serbe, kanë dërguar shenja të gishtërinjve të një personi të njëjtat të cilat janë krahasuar në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, dhe rezultojnë se i përkasin të arratisurit, Faton Hajrizi.
Njoftimi i plotë;
Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.
Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast