Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme një shtetas serb për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.
Sipas policisë së Kosovës, ata kanë ndaluar një automjet me targa serbe dhe brenda kanë qenë dy persona – pas kontrollimit të dokumenteve njëri prej tyre s’ka pasur dëshminë e vaksinimit dhe nuk është lejuar të hyjë në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Në këtë moment, njëri nga dy të dyshuarit ka tentuar ta korruptojë policin e Kosovës duke i ofruar 10 euro ryshfet dhe i njëjti ka përfunduar nën pranga.
Ai është ndaluar për 48 orë.
Ky është raporti i plotë i policisë:
Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”
Më datën 25.10.2021 në orën 08:40 , në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në hyrje nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet me targa të Republikës së Serbisë në të cilin ishin dy persona, shtetas të Serbisë.
Gjatë kontrollimit dhe regjistrimit të dokumenteve të personave dhe automjetit, i dyshuari ka prezantuar dokumentet e nevojshme por nuk ka prezantuar dëshmi për bashkudhëtarin e tij, për kushtet e hyrjes në Republikën e Kosovës, i cili nuk kishte vaksinim të plotë kundër COVID-19. Nga zyrtarët policorë bashkudhëtarit i është refuzuar hyrja në RKS, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat mbrojtëse kundër Covid-19.
Me këtë rast i dyshuari G.S. (1964), i ka ofruar ryshfet (10 euro) zyrtarit policor në kabinën e kontrollit, me qëllim të lejimit të hyrjes në RKS edhe për bashkudhëtarin i cili nuk plotësonte kushtet e hyrjes në RKS . Personi i dyshuar është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Dhënia e ryshfetit”
Personi i dyshuar është intervistuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.