Serbët nga Kosova nisen në këmbë për në tubimin e Vuçiqit në Beograd

Më shumë se 150 serbë nga Kosova sot në mëngjes janë nisur në këmbë për në Beograd, për të marrë pjesë në mbledhjen e së shtunës, më 12 prill, me rastin e themelimit të Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e paralajmëron për fundjavën në vijim.

Portali Kosova online raporton se serbët nga Graçanica dhe qytetet përreth të Kosovës, u nisën në një kolonë në një udhëtim prej 250 kilometrash, transmeton Telegrafi.

“Moti i keq, shiu dhe bora nuk do të na pengojnë të arrijmë qëllimin tonë dhe të arrijmë të gjallë dhe të mirë në tubimin e madh që mbahet të shtunën. Ne nga Kosova do ta mbrojmë Kosovën tonë edhe në Beograd sepse vendi ynë është i sulmuar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”, tha Ivan Cvetkoviq.