Serbët e Kosovës votojnë të dielën në Serbi, vendimi i Kosovës vlerësohet i drejtë

Serbët e Kosovës për herë të parë do të votojnë në Serbi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Klankosova.tv se ky institucion akoma e ka qëndrimin e  njëjtë sa i përket kësaj çështjeje.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një letre drejtuar ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog ka potencuar se “zgjedhjet e 3 prillit e Serbisë mund të mbahen në Republikën e Kosovës vetëm në përputhje me një marrëveshje ndërmjet dy Qeverive tona përkatëse”.

Mosgjetja e një zgjidhjeje për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë ka shkaktuar reagime tek shtetet e Quintit, të cilët theksuan se janë të zhgënjyer lidhur me këtë vendim.

“Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet mes tjerash në reagimin e Quintit.

Kurse, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se për lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë, Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që fjalë për fjalë dhe De fakto ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ndonëse pati reagime nga shtetet e Quintit, në Kosovë veprimi i Qeverisë është duke u lavdëruar. Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, në një intervistë për Klankosova.tv e quan këtë vendim të drejtë dhe parimor.

“Ky vendim edhe politikisht jashtëzakonisht është i drejtë jo vetëm për shkak të Serbisë, por edhe për shkak të rrethanave që gjendet Republika e Kosovës, mos të harrojmë Kosova është vendi më i izoluar sot në Evropë, mos të harrojmë jemi më të izoluar se Rusia, pra vendi më properëndimor është më i izoluar se Rusia që po bën agresion andaj vendimi Qeverisë ka qenë jashtëzakonisht i drejtë por edhe çka është pozitive e ka vendosur një standard mbi të cilin sot në një të ardhme të afërt por edhe të largët asnjë kryeministër shqiptar nuk mund më të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës pa marrëveshje paraprake, prandaj mendoj që vendimi i ka ndihmuar edhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do t’i ndihmojë edhe vet komunitetit serb në Kosovë, në një farë mënyre do ta ngrit vetëdijesimin e tyre se ardhmja e tyre është në Kosovë dhe jo jashtë saj”,ka thënë Arifi për Klankosova.tv

Tutje, ai ka theksuar se kjo nuk do të ketë ndonjë pasojë negative sa i  përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, dhe procesin të integrimeve evropiane të Kosovës.

“Pasoja nuk besoj qe mund të kete ngavoie sepse dialigu qe nje kohe te gjate nuk është funksionalr  jo për shkak të Kosovës por edhe vet për një pjesë të fajit të BE-së për shkak të mos vendosshmërisë se temave dhe afateve kohore por edhe dihet që Republika e Serbisë realisht nuk i konvenon fare dialogu ata po mudohen të gjejën çfarëdo justifikimi  në çfarë do forme vetëm që ta shtyjnë dialogun final për atë marrëveshjen përfundimtare dhe për një njohje reciproke. Andaj, derisa Serbia të përkëdhelet nga Bashkimi Evropian nuk do të ketë dialog pozitiv, apo rrjedhje normale të dialogut për shkak se Bashkimi Evropian po e bën një ndarje, po krijon standarde të dyfishta në respektimin e vet rregullave, ligjeve dhe vlerave të Bashkimit Evropian  derisa  ekziston ky qëndrim i BE-së nuk besoj se dialogu do të merret seriozisht nga të dyja palët”.

“Ndërsa sa i përket integrimit evropiane, për shkak të keq Kosova nuk njihet nga pesë vendet e BE-së, dhe kjo e komplikon punën edhe për anëtarësim ne edhe nëse e bëjmë një kërkesë për t’u anëtarësuar apo për t’u hapur negociatat as jo nuk do të pranohet për shkak se edhe aty duhet një unanimitet i Këshillit të ministrave në BE, kështu që në çfarë do varianti, çfarëdo që bën Kosova, ajo gjithmonë do të jetë e refuzuar nga BE-ja derisa nuk ka vendim politik për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, andaj edhe duke e ditur se Kosova është vendimi më demokratik në Ballkanin Perëndimore prap se prap kemi ngrecur për shkak të vendimeve politike te Bashkimit Evropian”,ka thënë Arifi.

Po ashtu edhe profesori i diplomacisë, Valon Murtezaj, në një intervistë për Klankosova.tv ka theksuar se Kosova veproi ashtu si duhet.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës. Është në detyrën dhe obligimin e institucioneve të Kosovës të përcaktojnë me saktësi respektimin e ligjeve të Kosovës; njëkohësisht aspektet e interesit nacional duhet të jenë në koordinim dhe komunikim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me të cilët është krijuar shteti i Kosovës”, ka thënë Murtezaj.

Opinionisti shqiptaro-amerikan, Drilon Gashi, ka deklaruar për Klankosova.tv se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i drejtë, “me mundësimin e votimit të qytetarëve serbë në zgjedhjet e Serbisë, por jo ashtu siç është bërë më herët (me ndërmjetësimin ndërkombëtar)”.

“Megjithatë, ka shumë rëndësi që ky lloj vendimi të kumtohet qartazi, vazhdimisht, edhe të paraqitet si zgjidhje për këtë çështje dhe jo si pengesë. Duke përcjellë reagimet, sidomos atë të vendeve të QUINT-it, duket se megjithatë ka munguar artikulimi i duhur apo diplomacia e duhur e zgjidhjes së ofruar  nga Qeveria”.

Tutje, ai ka pohuar se institucionet e Kosovës po dëshirojnë që të jenë sa më të qartë në ruajtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues, sidomos ndaj Serbisë e cila vazhdimisht tenton që ta minoj atë.

“Mirëpo, gjithsesi duhet një qasje të “ngreh e mos këput” për ta sforcuar sovranitetin përderisa ruhet dhe thellohet mbështetja nga aleatet. Kosova duhet gjithnjë të dal si ofrues dhe jo mohues i zgjidhjeve karshi ndërkombëtarëve, me të gjitha zgjidhet që ruajnë dhe forcojnë sovranitetin. Është një mesatare që duhet të arrihet—është e mundshme por kërkon ndjeshmëri ndaj qasjeve të ndryshme dhe insistim dhe proaktivizëm në paraqitjen e qëndrimeve”, ka thënë Gashi, njofton Klankosova.tv.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe do të mbahen më 3 prill. Serbët me dy shtetësi do të shkojnë për të votuar në qytetet jugore serbe.