Selimi me fjalim emocionues: Luftën nuk e kisha pasion, në vend të mërgimit unë zgjodha Prekazin

Ish-komandanti i UÇK’së, Rexhep Selimi është deklaruar para trupit gjykues në Hagë.

Selimi ka thënë se nuk e priste ngritjen e aktakuzës ndaj tij dhe se atë e konsideron të pabazuar.

“Ka pothuajse dy vite e gjysmë që kur është ngritur aktakuza, nuk e prisja. E konsideroj të pabazuar mbi fakte e argumente. Nuk kam të bëjë asgjë me krimet e pretenduara. Në fillim të viteve të 90’ta isha student në Universitetin e Prishtinës. Aty u përshkallëzua dhuna, rreth qendrës së studenteve shihje autoblinda serbe duke i nxjerrë studentët jashtë. Shqiptarët u larguan të gjithë nga puna. U mbyllë televizioni e gazetat shqiptare. Dhuna përshkallëzohej e të rinjtë i detyronin të shërbenin në Ushtrinë Jugosllave. Si sot më kujtohet kur bashkëmoshatarin tim e morën në ushtri dhe e kthyen në arkivol”, ka deklaruar Selimi.

Selimi theksoi se në mes ikjes dhe luftës ai zgjodhi këtë të fundit duke iu bashkuar familjes Jashari.

“Në vend që t’iu bashkohesha familjarëve të mi në mërgim, unë iu bashkova familjes Jashari në Prekaz. Lash ëndërrat e mija e iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vullnetin e kishim të madh por armë kishim shumë pak. Si UÇK ishe armik i Serbisë. Mund të vriteshe e të arrestoheshe. Serbia më ndiqte për të më arrestuar ose për të më vrarë. Ndaj meje u publikua një aktakuzë nga Serbia. Bashkë me dajën tim Mujë Krasniqi u detyrova të largohem nga shtëpia. Qëndroja me familjen Jashari. Të gjithë ata më vonë u vranë nga një sulm serb ndaj familjes Jashari. Në ditën e sulmit nuk ndodhesha aty, prandaj jam gjallë”.

Tutje, ish-komandanti tha se luftën nuk e kanë zgjedhur ata, por që ajo ishte e domosdoshme.

“Pas vrasjes së Adem Jasharit mbetëm luftëtarë pa komandant. Disa ranë duke luftuar e disa e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Në ato ditë të rënda për Kosovën rezistuam. Donim edhe na ta kishim një ushtri të armatosur mirë por nuk arritëm. Donim edhe ne ta mundnim Serbinë por nuk e arritëm këtë pa ndihmën e shteteve nga jashtë. U munduam ta bëjmë këtë si njerëz të vendit ku kishim lindur. Nuk kishim kazerma por kishim familje tjera që na mbanin. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion, ajo ishte e domosdoshme”, deklaroi Selimi.