Policia e Kosovës ka njoftuar se bashkë me Doganën kanë kapur 3 automjete të dyshuar, që po transportonin mall të kontrabanduar në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut, raporton Gazeta Sinjali.
Në njoftim thuhet se është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e mallit të kontrabanduar, që vlerësohet se kap vlerën e rreth 120 mijë eurove, pa llogaritur edhe shmangiet doganore.
“Lidhur me rastin personat e dyshuar ishin me 3 automjete, ku nga to dy automjete përcjellëse me targa vendore dhe një kombi furgon pa targa, i cili dyshohet se ishte i ngarkuar me mallra të kontrabanduara, derisa zyrtarët policorë kanë arritur të lokalizojnë automjetin e dyshuar kombi me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, ku gjatë numërimit të mallit të kontrabanduar, për të cilin i dyshuari nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e mallit, janë gjetur dhe sekuestruar mallrat si në vijim:
1750 boksa Chesterfield me 350000 copë cigare,
250 boksa cigare elektrike Terea – 50000 copë cigare,
makina për mbushje të cigareve (filetara) gjithsej 3200 copë,
shkrepëse gjithsej 2000 copë,
shishe xhami për nargjile 50 copë,
shtroja për këpucë 3000 palë (6,000 copë).” – ka njoftuar Policia.
Në lidhje me rastin, urdhër të Prokurorit të Shtetit, malli dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor, ndërsa personi i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.