Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ka kryer sot bastisje në fshatin Vajnik të Skenderajt, ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi e madhe e substancës së dyshuar narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se janë sekuestruar 59 kilogramë marihuanë dhe është arrestuar i dyshuari, E.A., 28-vjeçar.
“Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar këto dëshmi: 59 (pesëdhjetë e nëntë) kilogram e 973 (nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) gram, dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, dy peshore digjitale, një mbështjellës – foli e tejdukshme dhe një telefon“, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t;i caktohet masa e ndalimit policor.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.