Një ditë më parë kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth çështjes së presidentit, ndërsa kandidatja për këtë pozitë, Vjosa Osmani lidhur me këtë është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet sapo të bëhet zëvendësimi i deputetëve që tashmë janë bërë ministra, e ky proces tashmë është kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe me mbetet vetëm betimi i tyre në Kuvend, në seancën e radhës.
“Posa të bëhet zëvendësimi i deputetëve që janë bërë ministra, do të mund të thërrasim një seancë të radhës, në të cilën padyshim sigurt atë që e votoj populli me 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me votat e nevojshme në Kuvend”, ka thënë Kurti.
Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, është deklaruar rreth çështjes së presidentit.
Ai një ditë më parë një opinion të tij ka folur për rolin e opozitës në formimin e qeverisë.
Kosnett ka thënë se gjatë bisedës që ka pasur me disa politikanë të partive politike, është befasuar me mendimin e tyre rreth opozitarizmit.
“Si shumë njerëz që jetojnë në Kosovë, rishtazi e kam kaluar kohën duke diskutuar për rolin e opozitës në formimin e qeverisë dhe më gjerësisht në qeverisjen e përditshme. Gjatë bisedave kam mbetur i habitur që shumë njerëz në publik – si dhe disa politikanë – duket se e kanë të paqartë rolin e opozitës së përgjegjshme në sistemin parlamentar të Kosovës”, tha ai.
Ambasadori tha se tani partitë opozitare përballen me një vendim të rëndësishëm – a të marrin pjesë në procesin e votimit për presidentin e ri apo të përpiqen të prishin procesin dhe ta çojnë Kosovën sërish në zgjedhje.
Ambasadori Kosnett tha se SHBA-ja nuk është duke kërkuar që opozita të votojë ndonjë individë të caktuar për president.
“Më lejoni të jem i qartë. Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht e as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”, theksoi ambasadori.
Lidhur me pozitën e presidentit, kandidatja Vjosa Osmani të mërkurën takoi kryetarin e LDK-së, ish-bashkëpartiakun, Lumir Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, Abidxhiku ka thënë se takimi me Osmanin ka qenë pozitiv.