Për vite me radhë Google gëzon statusin e motorit të kërkimit më të njohur në botë, i cili nuk ka konkurrencë reale. Mirëpo në vetëm pak muaj, gjithçka ndryshoi. OpenAI prezantoi chatbotin e shumëpërmendur ChatGPT, i cili tregoi një mënyrë krejtësisht të ndryshme në të cilën njerëzit mund të marrin përgjigje për gjithçka që u intereson, pa pasur nevojë t’i drejtohen Google-it të plotfuqishëm.
Sa për rikujtim, Microsoft së fundmi njoftoi se do të integrojë disa opsione ChatGPT në motorin e tij të kërkimit, që do të thotë se përdoruesit do të mund të kërkojnë edhe në internet përmes Bing, pra të marrin përgjigje për pyetjet e tyre që do t’u jepet nga inteligjenca artificiale, e cila do të jetë krejtësisht ndryshe, krahasuar me atë që ishim mësuar më parë.
ChatGPT shkaktoi panik në Google. Alarmi ra, bashkëthemeluesit Page dhe Brin, të cilët prej disa vitesh nuk janë përfshirë aktivisht në veprimtarinë e kompanisë, u riaktivizuan për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të luftuar kundër kësaj forme të re të konkurrencës, që duket se ata nuk e prisnin. Dhe kjo zgjidhje është gjithashtu – IA , Inteligjenca Artificiale.
Google në fillim nuk ka dashur të ngutet me implementimin e IA në motorin e saj të kërkimit, sepse rezultatet e marra nga kërkime të tilla nuk duhet të jenë gjithmonë të sakta, prandaj ekipi i kompanisë nuk ka dashur të nxitojë. Nga ana tjetër, startup-et si OpenAI që duan ta prishin tregun nuk duhet të shqetësohen për gjëra të tilla, ata duhet të hyjnë shpejt dhe me shpejtësi në treg, pavarësisht nga pasojat e mundshme.
Dhe këto pasoja, të paktën për Google, mund të jenë negative, kështu që kjo kompani ende vendosi të reagojë dhe ta mbrojë territorin e saj, pra tregun që e dominon. Javën e kaluar, Shefi Ekzekutiv i kompanisë Sundar Pichai njoftoi se Google do të shtojë opsione të avancuara të bazuara në inteligjencën artificiale në motorin e saj të kërkimit.
Ajo që mund të presim së shpejti është chatboti i Google i quajtur Apprentice Bard, si dhe një dizajn i ri i një motori kërkimi për kompjuterë që do të mund të përdoret në formatin e pyetjeve dhe përgjigjeve. “Shumë shpejt, njerëzit do të jenë në gjendje të ndërveprojnë me modelin tonë më të ri dhe më të fuqishëm të bisedës, si një ndihmë kërkimi, në mënyra eksperimentale dhe inovative”, ka deklaruar Pichai, duke iu referuar modelit të tyre LaMDA.
Me këto ndryshime mund të presim që Google të ndryshojë, por edhe mënyra se si ne kërkojmë në internet, dhe do të jetë interesante të shihet, pra të krahasohet chatbot i AI i Google me ChatGPT dhe të zbulohet se cili prej tyre jep përgjigje më të sakta dhe më të mira./CNBC