Të paktën 58 palestinezë u vranë në mbarë Rripin e Gazës nga sulmet izraelite gjatë natës së kaluar, sipas tri spitaleve lokale.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton se nga këto sulme u goditën shumë shtëpi në mes të natës, duke lënë të vrarë burra, gra e fëmijë, përderisa ata ishin duke fjetur, përcjell gazeta “The Guardian”.
Izraeli i rinisi sulmet e rënda ajrore në mbarë Gazën të martën, duke e thyer armëpushimin që e kishte ndalur luftën dhe e kishte lehtësuar lirimin e më shumë se 20 pengjeve. Izraeli e fajësoi Hamasin për rifillimin e luftimeve, sepse gjoja ky grup ka refuzuar një propozim të ri që dallonte nga marrëveshja e nënshkruar.
Më shumë se 400 palestinezë u vranë vetëm të martën, shumica gra e fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza
Sulmet e reja ndodhën një ditë pasi trupat tokësore izraelite avancuan në Gaza për herë të parë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në janar, duke marrë nën kontroll një pjesë të një korridori që e ndan një të tretën veriore të Gazës me pjesën jugore të enklavës.
Izraeli është zotuar për intensifikimin e operacioneve derisa Hamasi t’i lirojë 59 pengjet që është duke i mbajtur ende, 35 prej të cilave besohet se tashmë kanë vdekur, dhe derisa ta dorëzojë kontrollin e enklavës.
Administrata e presidentit Donlad Trump të ShBA-së, e cila ka marrë merita për ndërmjetësimin e armëpushimit, thotë se e mbështet plotësisht Izraelin./