Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) ka ngritur shqetësimin se rreth 600 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, në mënyrë që të largohen nga vendi.
Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, ka thënë se para fillimit të vitit shkollor 2023-2024 në Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë kërkesë mbi 300 mësimdhënës për pushim pa pagesë. Sipas saj, këtë pushim shumica prej tyre e kanë marrë me qëllim që të largohen nga Kosova dhe të shkojnë ta gjejnë veten diku në shtetet e ndryshme të Evropës.
Sipas saj, ky numër është rritur pas liberalizimit të vizave. Në gjysmë-vjetorin e dytë të vitit shkollor 2023/24 afër 600 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë.
“Po para fillimit të vitit shkollor 2023-2024 kërkesë në Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë mbi 300 mësimdhënës për pushim pa pagesë dhe ata kryesisht kanë bërë këto kërkesa me qëllim që të largohen nga Kosova dhe ta gjejnë veten diku në shtetet e ndryshme të Evropës. Mirëpo me liberalizimin e vizave tani kur po fillon gjysmë-vjetori i dytë i vitit shkollor 2023/4 ky numër është rritur, që sipas informacioneve që i kemi nga mësimdhënësit është diku 500 apo 600 mësimdhënës për këtë vit”, ka thënë ajo për EO.