Rritja e çmimeve në produktet bazë për konsum në Kosovë, ka bërë që Sindikata e Bashkuar e Arsimit të dalë me një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se kanë kërkuar që Qeveria t’i mbështesë ata me nga 100 euro, pasi sipas tij pas ngritjes së çmimeve të të gjithë artikujve është varfëruar shporta e punëtoreve të arsimit.
“Këshilli Drejtues në mbledhjen e jashtëzakonshme e ka parë të arsyeshme sepse Ligji i Pagave po shihet se ka tendenca të mos bëhet me kohë, nuk dihet se kur do të shkoj në Kuvend për votim. Ne kemi insistuar që pas ngritjes së vazhdueshme të çmimeve në të gjithë artikujt elementar ne kemi kërkuar nga Qeveria Kurti që të mbështesë të punësuarit në sektorin e arsimit me nga 100 euro në pagë. Konsiderojmë që është e udhës që Qeveria Kurti të intervenojë ti ndihmojë punëtorët e arsimit dhe të tjetër me një shtesë prej 100 eurove dhe kjo të vlejë deri sa të filloj implementimi i Ligjit të Pagave pas marrëveshjes me sindikatat. Pagat aktuale janë zbehur tani për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe konsiderojmë që qeveria Kurti duhet të intervenojë”, u shpreh Jasharaj.
Jasharaj shtoi se nuk do të hasin në bashkëpunim nga Qeveria, atëherë më 2 prill do të detyrohen ta fusin në grevë të gjithë sistemin e arsimit në Kosovë.
“Ne kemi formuar një komision pune nga ekspertët e ekonomisë dhe nga profesorët tanë të matematikës, të cilët janë duke punuar për koeficientin. Ne jemi duke punuar që të japim versionin tonë me argumente për Ligjin e Pagave dhe presim nga Qeveria mbështetje me shtesën për 100 eurove. Por nëse nuk ndodhë e tëra çfarë do të ndodhë ne si SBASHK dhe komisioni si organi më i lartë i SBASHK-ut, do të raportojmë për situatën. Por unë kam frikë që nëse gjërat vazhdojnë të rrjedhin kështu, që Qeveria të mos bashkëpunojë, me 2 prill delegatët e kongresit që janë përfaqësues të arsimit por edhe të kulturës do të sjellin vendim për veprime sindikale, çfarë do të jenë ato veprime unë nuk mund të flas tani por kam frikë që prilli do ta kthejë sërish sistemin arsimorë në grevë, që nënkupton se kjo grevë do të vlejë që nga çerdhet deri të universitete”, theksoi ai.
Ai shtoi se Ligji i Pagave për ta do të vlejë vetëm atëherë kur të ulën dhe do të jenë në tavolinë të barabartë dhe jo vetën në cilësinë e vëzhguesit. /Telegrafi/