Samiti urgjent në Bruksel/ Presidenti kroat propozon që Kosova të pranohet në NATO

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, e të bëhet më në fund shtet i plotë.

Milanoviq këtë e ka thënë në deklaratat e tij pas samitit, raporton Index.hr.

 “Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet, dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha Milanoviq.

Milanoviq ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.