Kosovari i hekur
Morina ia doli me sukses të përfundonte garën me tri disiplina në Aix-en-Provence të Francës, në mesin e më shumë se 2500 garuesve. 1.9 kilometra not, 90 kilometra çiklizëm dhe 21 kilometra vrapim, Morina arriti t’i përfundojë për 4 orë, 54 minuta e 14 sekonda. Morina doli i 200-i në ranglistën e përgjithshme. Ai ishte i 16-i në kategorinë e moshës 40-44.
Në një deklaratë për Kohën Ditore, Morina ka treguar detaje nga gara dhe sfidat me të cilat ishte përballur ai. Ai kishte përfunduar i katërti në kategorinë e tij garën e notit prej 1.9 kilometrave. Këtë garë e kishte kryer për 30 minuta e 53 sekonda. Ka thënë se ishte vonuar gjatë ndërrimit nga zona e notit në startin me çiklizëm.
Gjatë çiklizmit, Morina ka treguar se kishte vërejtur se ka një problem me çikletën e tij dhe se gjatë kontrollimit humbi më shumë se 10 minuta. Këtë pjesë të garës e kishte përfunduar për 2 orë e 47 minuta.
“Shume kundërshtar shfrytëzuan këtë dhe dolën para meje. Fatmirësisht, arrita ta gjej defektin, u mundova që vrullshëm ta kompensoj kohen e humbur, por prapë m’u shfaq një problem tjetër. Rruga në të cilën po kaloja ishte me shume pengesa (policë të shtrirë), në timonin e biçikletës ku kisha të vendosur një shishe me ujë si dhe orën, të dyja më kishin rënë nga biçikleta, këtë e vërejta pasi kisha kaluar disa metra, sërish më është dashur që të kthehem për t’i marrë. Kjo përveç qe me shkaktoi humbje të kohës, mbeta dhe pa ujë për 20 km deri tek vendi ku ofrohej ujë”, ka shpjeguar ai.
Morina ka thënë se është krenar për të arriturën, por jo për rezultatin përfundimtar pasi ka thënë se ka mundur të ishte edhe më i shpejtë sikur të mos i shfaqeshin problemet në garë.
Kosovari i hekurt ka thënë se ndër shumë shikues që e përcillnin garën, ishte edhe familja e tij. Ka thënë se bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij janë motivuesit më të mëdhenj që të vazhdojë të merret me këtë sport.
“Deri sa po arrija në finish, ndjehesha i entuziazmuar, aty me priste djali im Marsoni, i cili kishte flamurin e Kosovës ne duar dhe të njëjtin ma dorëzoi, diçka që më emocionoi tej mase”, ka treguar ai.
Morina ka qenë kritik për federatat në Kosovë pasi ka thënë se s’kanë shprehur kurrë interesim. Teksa ka shtuar se duhet patjetër që të rriten investimet në këtë garë nga Kosova, Morina ka deklaruar se kurrë s’do të humb motivin për të përfaqësuar Kosovën. Ai ka thënë po ashtu se në Kosovë ka kërkuar sponsor qe një vit, por asnjë kompani nuk i ishte përgjigjur.
“Çdo garë në të cilën kam marrë pjesë ia kam dedikuar Kosovës dhe do të vazhdoj ta bëj të njëjtën gjë. Kjo më bën të ndihem krenar me vendim tim pavarësisht se çdo gjë e kam bërë me focën time dhe asnjëherë nuk është vërejtur interesim nga federatat dhe klubet që merren me këtë sport. Kjo padyshim nuk do të më demotivoj që çdo herë dhe në çdo garë të prezantohem si sportist nga Kosova”, ka deklaruar Morina teksa ka shtuar se ndihet krenar që falë angazhimeve të tij tashmë ka nisur të merret më seriozisht ky sport në vend.
Ai është shprehur i gatshëm t’ua tregojë përvojën e tij garuesve të tjerë nga Kosova që duan të bëhen pjesë e Ironmanit.
Morina në fund ka treguar edhe për garimin vitin e shkuar me ç’rast ka thënë se ishte hera e parë si përfaqësues i Kosovës në këtë sport. Ka shpjeguar se në garën e Pays d’Aix me shansin për kualifikim në Botëror, nuk arriti të ishte i suksesshëm duke shtuar se dikush ia kishte hequr kabllon që shërben si ndërrues i marsheve të biçikletës.