Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është dënuar me 2 mijë euro gjobë për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, Lushtaku nuk ishte prezent në seancë.
Dënimin prej 2 mijë euro gjobë, ai mund ta paguajë me dy këste mujore në afat kohor prej 2 muajve.
I njëjti, nëse nuk e paguan dënimin me gjobë, dënimi do t’i zëvendësohet me atë me burg, duke ju llogaritur 20 euro për çdo ditë burg.
Po ashtu, Lushtaku duhet t’i paguajë 30 euro shpenzime procedurale, ndërsa 50 euro për fondin për kompensimin të viktimave.
Gazeta ka raportuar mbrëmë se ish-kryetari Lushtaku e ka pranuar fajësinë rreth këtij rasti, ndërsa kushëriri i tij, Ibrahim Lushtaku, si dhe Xhelal Zeqiri e kanë pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, dy të fundit janë deklaruar të pafajshëm për veprën “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, për të cilën akuzohen.