Samedin Mehmeti është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, pas rreth tre muajve si ushtrues detyre i kësaj pozite.
Pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nga ana e Kryeministrit Avdullah Hoti, si ushtrues detyre në këtë pozitë ishte caktuar zëvendës drejtori Samedin Mehmeti.
Përveç përvojës në polici, Samedin Mehmeti gjithashtu ka përvojë edhe në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Për disa vite me radhë z. Mehmeti ka punuar në Departamentin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe në Misionin e OKB-së në Afganistan”, thuhet ndër të tjera në biografinë e Mehmetit.
Më poshtë biografia e tij e plotë:
U lind në Prishtinë në vitin 1972. Shkollimin fillor e ka përfunduar në vendlindje duke vazhduar me tej me 3 vite të shkollës së mesme te cilat i ka vijuar në shkollën e atëhershme të policisë në Vushtrri, ndërsa vitin e 4-të në Prishtinë. Studimet universitare i ka përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ndërsa specializimin e pas-diplomimit dhe magjistraturën në Fakultetin e Shkencave të Kriminalistikës, në Universitetin e Sarajevës duke vazhduar me tej me Studimet e doktoratës në Universitetin Evropian të Tiranës. Temat e magjistraturës dhe doktoratës i ka mbrojtur në specifika të ndryshme, të ndërlidhura me fushën e terrorizmit.
Samedin Mehmeti ka një karrierë të gjatë dhe të begatshme në sektorin e sigurisë, përkatësisht në veprimtarinë policore, duke shërbyer në pozita të ndryshme, fillimisht si polic patrullues në stacionin policor” Veriu”, më pastaj si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës. Si mbikëqyrës, në nivelin taktik përkatësisht në gradën e Rreshterit policor ka shërbyer në pozitën e shefit të ndërrimit në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë. Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën Zv. Komandant në stacionin policor ”Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë. Pas avancimit, në nivelin strategjik në gradën Major, ka shërbyer fillimisht në pozitën Zëvendës Drejtor për Operativë dhe pastaj udhëheqës i njësisë për Tranzicionin e kompetencave policore nga UNMIK-u, në Policinë e Kosovës. Në gradën e Nënkolonelit ka shërbyer në pozitën e Drejtorit të Administratës në kuadër të Departamentit të Policisë Kufitare.
Përveç përvojës në polici, Samedin Mehmeti gjithashtu ka përvojë edhe në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Për disa vite me radhë z. Mehmeti ka punuar në Departamentin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe në Misionin e OKB-së në Afganistan.
Pas kthimit nga Misioni në Afganistan, Samedin Mehmeti ka punuar në pozitën e Kryesuesit të Komisionit të Brendshëm Disiplinor dhe në pozitën e Drejtorit të Divizionit të Komunikacionit Rrugor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Në aspektin e zhvillimit profesional, ka ndjekur shumë programe të ndryshme, të cilat lidhen me fushën e sigurisë në përgjithësi dhe terrorizmin në veçanti. Vlen të ceken: Kursi për menaxhimin e incidenteve kritike; Trajnim për sigurinë e aktiviteteve dhe samiteve ndërkombëtare, në Akademinë Nacionale të Policisë së Turqisë, në Ankara; Programin Ekzekutiv për Studime të Avancuara të Sigurisë si dhe Programi i specializuar për luftën kundër terrorizmit, në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Marshall në Garmishpartenkirchen-Gjermani; Programin lidhur me të drejtën ndërkombëtare në konflikt në Europa-Universitat Viadrina, Frankfurt (Oder), Gjermani; Programin për planifikim operacional dhe strategjik të forcave të armatosura, të organizuar nga Cranfeld University-Defence Academy of United Kingdom – Londër; Programin për këshilltar dhe analist nga Kings Collage – University of London, si dhe shumë programe dhe trajnime nga kjo fushë.
Përveç sferës se sigurisë, karriera e tij e begatshme në formë paralele është zhvilluar edhe në botën akademike. Z. Mehmeti për disa vite me radhë ka qenë i angazhuar me honorar si ligjërues në Fakultetin e Sigurisë në Kolegjin “ISPE” në Prishtinë, si dhe vazhdon ti ligjëroj lëndët e sigurisë në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ku edhe aktualisht ka kontratë me honorar.
Ka botuar dhe prezantuar punime të ndryshme hulumtuese shkencore nga fusha e sigurisë në revista dhe konferenca të ndryshme shkencore me recension ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe bashkautorësinë në librin “Enciklopedia e policive të Evropës Juglindore”, botuar nga shtëpia botuese “Springer” në SHBA.