Njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, Salih Mustafa, ka kohë deri sot që para gjykatësit të procedurës paraprake të pranojë fajësinë ose jo lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte. Seanca dëgjimore për rastin e tij do të mbahet sot në orën 15:00.
Mustafa ka refuzuar të deklarohet në paraqitjen e tij publike para gjykatës më 28 shtator të këtij viti, si dhe në paraqitjen tjetër më 5 tetor.
Sipas rregullave të procedurës së gjykatës ai ka afat 30 ditë nga paraqitja e tij e parë para gjykatës të pranojë fajësinë ose jo.
Afati i fundit përfundon sot.
Prokurori i Specializuar njoftoi se do të ketë të paktën 16 dëshmitarë në rastin kundër Mustafës, si dhe evidencë të shkruar dhe fotografi.
Aktakuza e konfirmuar kundër Salih Mustafës thotë se ai është përgjegjës për disa krime, si tortura dhe keqtrajtim ndaj të paktën gjashtë personave në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999 në fshatin Zllash ku operonte një qendër burgimi.
Mustafa i njohur si Cali ishte arrestuar dhe ekstraduar në Hagë më 24 shtator me urdhër të gjykatës pasi aktakuza ishte konfirmuar