Të rinjtë kosovarë jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje. Me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, ata shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Kështu ka vepruar edhe personazhi i njohur në rrjete sociale, Dardi, i cili ka publikuar një video me armë në brez dhe me një sëpatë.
Në videon e publikuar në InstaStory, Dardi kërcënon hapur dikë, për të cilët thotë se i pret ku të duan, teksa ekspozon sëpatën dhe armën.
“Përshëndetje tanve. Kanë thanë si nuk kryn qikjo [sëpata] po e presim kta, si nuk kryn kjo, kryn qëkjo poshtë [arma]. Kështu që, sakicë njo, barut dy, iu presim midis Kijeve. Baba këtu”, dëgjohet duke thënë Dardi.
E në InstaStoryn tjetër, ai u ka parashtruar pyetje personave me të cilët ka probleme, duke u thënë se i ka pritur deri në orën 03:00.
“Ku jeni o trima a deri Saba me ju prit ju 3 une vet a Hajde Byrum ma haver”, shkroi ai.
Kujtojmë se posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Sipas Kodit Penal, kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.