Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci, ka demantuar Kishën Katolike e cila përmes një postimi në Facebook dha lajmin se ai është konvertuar në katolik.
Në një intervistë për “Indeksonline”, ai ka thënë se asnjëherë nuk është konvertuar në katolik, por ka qenë vetëm vizitor i kishës në të cilën po aludohet se është konvertu.
“S’e kam ndërru as fenë, as send. Kur të vdes, këta dy hoxhallarë me m’shti në dhe. Mua nuk po më lajmërohet ai. Këto janë krejt gënjeshtra. S’kam çka ndërroj. Ata prifta të kishës nuk i kam shokë”, tha mes të tjerash Geci, duke mohuar fuqishëm pretendimet.
Më herët gjatë ditës, Famullia e Shën Mihillit në Doblibarë publikoi një fotografi të ish-komandantit të UÇK-së, Sabitit, duke thënë se i njëjti është konvertuar dhe është pagëzuar me emrin “Kastriot”.
“Kastriot, unë po të pagëzoj në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt! Amen” thuhet në njoftimin e Famullisë./Indeksonline/