Rrjeti social, TikTok, aktualisht ka kapur majat e popullaritetit të vet dhe numrit të klientëve përdorues të tij.
Përveç si hapësirë reklamuese për personat të cilët kanë llogari në këtë rrjetë social, TikTok tanimë është shndërruar në një burim shumë profitabil të të ardhurave për ata që i kushtojnë kohë aktivitetit të tyre brenda, mirëpo që kanë edhe numër të madh të ndjekësve.
E këtij trendi në rritje nuk i kanë ikur as artistët shqiptarë. Një shumicë dërrmuese e tyre kanë llogaritë e hapura në TikTok, ku madje janë edhe shumë aktiv.
Ndonëse në pamje të parë kjo mund të duket si formë e përshtatshme për mbajtjen në nivel të audiencës së krijuar, arsyeja e këtij aktiviteti në rritje të emrave të njohur të estradës në këtë rrjet social po qëndron diku tjetër.
E ajo është përfitimi i madh që ata janë duke pasur nga videot që publikojnë, qofshin ato të postuara, apo edhe në formën Live.
Modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts” apo në shqip dhurata, për Telegrafin i ka shpjeguar eksperti i njohur i rrjeteve sociale, Valon Kerolli.
Ai sqaron se artistët në Kosovë, përfitojnë në dy mënyra nga TikToku; Duke bërë marrëveshje personale me biznese për reklamim, si dhe në dhuratat/gifts që marrin nga audienca.
“Aktualisht në Kosovë artistët kosovarë përfitojnë në dy mënyra nga TikTok: Duke bërë marrëveshje personale me biznese të ndryshme për reklamimin e produkteve të tyre në videot e postuara si dhe nga dhuratat/gifts që marrin nga fansat e kryesisht nga dhuratat që marrin gjatë kohës që janë LIVE në një lojë dueli 5 minutash”, ka sqaruar Kerolli për Telegrafin.
Valoni tregon se vlera e dhuratave në këtë rrjet social, varion nga 0 e deri në 500 dollarë, gjersa sipas tij dhurata më e shtrenjtë është “TikTok Universe”.
Cilado të jetë shuma që artistët monetizojnë, 50 për qind të saj e merr vet rrjeti social në fjalë.
“Në TikTok, dhuratat konvertohen përmes monedhave digjitale (coins) dhe vlera e tyre në para sillet prej 0 e deri në 500 dollarë (35000 coins) që është vlera e dhuratës më të shtrenjtë që njihet me emrin TikTok Universe. Ata që i marrin këto dhurata mund t’i konvertojnë në para, ku 50% të vlerës i merr TikTok e 50% të mbetura i merr artisti”, thotë tutje Kerolli për Telegrafin.
Kerolli thotë gjithashtu se artistët shqiptarë për t’u paguar për video-shikime duhet të jenë pjesë “Fondit të Kreatorëve” që vet TikTok-u e ka krijuar, por që kreatorët nga Kosova dhe Shqipëria ende nuk mund të bëhen pjesë e këtij fondi.
E duke qenë monitorues i rregullt i rrjeteve sociale, i njëjti shton se këngëtarët shqiptarë nga videot Live, në të cilat ata futen çdo natë, përfitojnë mesatarisht një mijë euro në ditë, pa llogaritur përqindjen që merr TikTok-u.
Bazuar në këtë rregullativë të këtij rrjeti, i bie që të famshmit nga tregu muzikor shqiptar fitojnë qindra euro në ditë vetëm nga videot Live.
“Duke përcjell disa nga këta artistët më të njohur dhe dhuratat që marrin në këto duele, por edhe nëse e shohim se çdo mbrëmje futen Live mund të themi lirisht se përfitojnë bukur shumë, mesatarisht një mijë euro në ditë pa e llogaritur përqindjen që merr TikTok”, thotë ai.
Duke parë këto fitime të majme të artistëve mirëpo edhe personave tjerë që TikTok i ka bërë të famshëm, tanimë është vënë në lëvizje edhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Ky institucion, ka bërë të ditur se ka në plan që gjatë këtij viti, në bashkëpunim me inteligjencën financiare të koordinojë dhe shoh mënyrat e identifikimit dhe trajtimit të përfituesve financiar nga rrjete sociale, e ku përfshihet edhe TikTok.
Në lidhje me këtë paralajmërim, ka folur edhe Kerolli.
Ai thotë se nëse realizohet kjo, atëherë do të duhej që personave që burim të vetëm të të ardhurave e kanë këtë rrjet, t’u mundësohej tatim shumë më i vogël se sa artistëve që përfitojnë edhe në forma tjera nga veprimtaria e tyre parësore.
“Natyrisht që duhet t’i nënshtrohen tatimit por po të pyetesha unë do i vendosja tatim shumë më të vogël personave të thjeshtë që burim të vetëm të të ardhurave e kanë TikTok-un”, ka thënë në fund ai.