Në Strategjinë Minerare të Kosovës 2010-2025 jipen disa të dhëna për pasuritë nën-tokësore të Kosovës. Vetëm resurset e qymyrit të vlerësuara në gjithë Kosovën, janë 12.5 miliardë tonë, prej të cilave 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme.
Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe ai i Drenicës, janë basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse dhe vlerësohen si shumë të nevojshme.
Aktualisht, KEK-u shfrytëzon qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike në dy termocentrale: Kosova A dhe B. Kurse, nëpër vende të caktuara, qytetarët vazhdojnë të nxjerrin ilegalisht qymyrin dhe më pas ta shesin për ngrohje.
Një nga resurset e tjera që përmendet në Strategjinë Minerare është nafta dhe gazi, bazuar në hulumtimet e kryera në vitin 1963 nga Nafta-Gas i Novi Sadit. Ato kanë rezultuar me përcaktimin e gjashtë njësive tektoniko-faciale, si potenciale për paraqitjen e hidrokarbureve.
Sipas Strategjisë, posaçërisht është veçuar njësia e pjesës veriore të basenit të Dukagjinit, ku është konstatuar se duhet të vazhdojnë hulumtimet, për mundësinë e pranisë së naftës dhe gazit në Kosovë.
Ndërkaq, sa u përket mineraleve metalore, vendburimet me të rëndësishme të plumbit dhe zinkut gjenden në të ashtuquajturin “Brezi metalogjenik i Trepçës”.
Në këtë mes hyjnë miniera “Trepça” në Stantërg, Badovci, Kishnica, Artana, Bellobërda dhe Cërnaci.
Miniera e Stantërgut me vendbanimet që e rrethojnë, ka rezerva të metaleve në xehe, 1,542,990 tonë plumb, 1,248,672 tonë zink dhe 2,634,294 kg argjend. Po ashtu, kompleksi i minierave Artanë-Hajvali, thuhet se karakterizohet me përbërje të lartë të metaleve të çmueshme të arit dhe argjendit.
Në minierën e Artanës, përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë.
“Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, konstatohet në këtë strategji. /BE