Rusia tha se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi ndalon naftën ruse.
Zëvendëskryeministri Alexander Novak tha se “refuzimi i naftës ruse do të çonte në pasoja katastrofike për tregun global”, duke bërë që çmimet të dyfishohen në 300 dollarë për fuçi.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë duke shqyrtuar ndalimin e mundshëm të naftës ruse, si masë ndëshkuese për Rusinë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por, Gjermania dhe Holanda e hodhën poshtë planin të hënën.
Bashkimi Evropian merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë nëse furnizimet ndërpriten.
Në një fjalim në televizionin shtetëror rus, Novak tha se “do të jetë e pamundur të gjendet shpejt një zëvendësues për naftën ruse në tregun evropian”.
“Do të duhen vite dhe do të jetë akoma shumë më e shtrenjtë për konsumatorët evropianë. Ata do të dëmtohen më së keqi nga ky skenar”, tha ai.
Rusia është prodhuesja më e madhe në botë e gazit natyror dhe prodhuesja e dytë më e madhe e naftës së papërpunuar.
Çdo veprim që sanksionon industrinë e saj të energjisë do ta dëmtonte keq ekonominë e saj.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, që përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, u rrit të martën për 3.7%, përkatësisht në më shumë se 127 dollarë për fuçi, në tregtinë e Azisë./REL