Vetëm një orë larg qendrës së Prishtinës është vendi ku krijohen 12 ujëvara dhe 16 liqene.
Është kjo Ujëvarat e Mirushës, një nga atraksionet më të mira në Kosovë, dhe vend i cili vizitohet mjaft shumë sidomos tani në sezonin verorë. Vizitorë të shumtë dhe jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vendet tjera vizitojnë këtë ujëvarë.Mirëpo, ajo për të cilën ankohen këta vizitorë është rruga që të shpie tek kjo ujëvarë, pasi që sipas tyre nuk është e rregulluar. Ata thonë se është mjaft e mundimshme kjo rrugë pasi që krijon vështirësi në qarkullim, deri sa të arrijnë tek ujëvara.Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësja e komunës së Klinës, Vlora Tafili, ka thënë se këtë vit janë ndarë mjetet për fillimin e punimeve në rrugën tek parku Ujëvara e Mirushës.“Duke e ditur rëndësinë e veçantë natyrore dhe turistike, dhe në bazë të kërkesave të qytetarëve, tek parku Ujëvara e Mirushës, këtë vit janë ndarë mjetet. Pra për fillimin e projektit për rregullimin e infrastrukturës, janë ndarë rreth 250 mijë euro, investim ky nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë ajo.Sipas saj projekti është përgatitur nga Komuna e Klinës: “Komuna e Klinës ka hartuar projektin i cili përfshin rregullimin e rrugës, shtigjet e ecjes etj. Tani procedura e tenderimit udhëhiqet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka theksuar ajo.Ndërsa Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Kjo zonë i përket kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “Monument natyror”./Telegrafi/