Që nga fillimi i vitit, 32 raste me pickime të rriqrave janë paraqitur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.
Kështu ka thënë drejtori i QKMF-së në këtë komunë, Afrim Krasniqi derisa ka bërë të ditur se ende nuk kanë filluar të bëjnë dezinsektimin, si pasojë e procedurave të prokurimit.
“Rastet veç kanë fillu, këtë vit deri me datën e djeshit i kemi 32 raste të cilat janë paraqit për heqje të rriqrave. Ende nuk ka fillu dezinsektimi për shkak të procedurave të prokurimit ende nuk është zgjedhë kompania fituese për dezinsektim, komuna është në fazat e fundit të nxjerrjes së këtij vendimi”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka treguar edhe simptomat që kanë pacientët.
“Rastet që tani për tani janë lajmëruar janë raste pa sëmundje por vetëm me pickime nga rriqrat, dominon kruarja dhe pacientët e vërejnë me dorë apo me sy që iu ka ngjit rriqra, dhe vijnë e largojnë këtu tek ne”, shtoi ai.
E Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka apeluar qytetarët që jetojnë në zonat endemike te kenë kujdes të shtuar.
Sipas tyre, zonat më të zonat më të rrezikuara sipas IKSHPK-së janë: Malisheva, Rahoveci, Suhareka, Klina dhe Gjakova.
Me rritjen e temperaturave, është rritur edhe mundësia që rriqrat të jenë bartëse të virusit që shkakton ethe hemorragjike.