Nga 16 dhjetori e deri më 10 janar Gjermania do të mbyllet sërish.
“Jemi të detyruar të veprojmë. Mbyllja e lehtë që kemi filluar qysh në 2 nëntor ka arritur një sukses të pjesshëm” tha Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi të dielën, më 13 dhjetor, në Berlin, transmeton Gazeta Sinjali.
“Arritëm ta ndalnim për ca kohë rritjen eksponenciale, por prej disa ditësh kemi sërish një rritje eksponenciale”, tha kancelarja.
Çfarë mbyllet, çfarë qëndron e hapur?
Do të mbyllen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme. Restorantet mbeten të mbyllura dhe do të kenë të drejtë të shesin vetëm gjellë për t’u konsumuar në shtëpi.
Po ashtu nuk do të lejohet konsumimi i alkoolit në vende publike. Gjithashtu mbyllen edhe floktoret, studiot e kozmetikës, tatuazhit, masazheve etj.
Shkollat, kopshtet, dhe institucionet e kujdesit ditor. Përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike.
Mësimi shkollor për këtë periudhë, ose do të ndërpritet, ose do të kalohet në distancë. Këtë e vendos secili land më vete.
Kontaktet reduktohen
Kontaktet duhet të reduktohen në maksimum, kërkoi kancelarja. Deri tani lejohen vetëm tubime me pesë persona, me anëtarë nga maksimumi dy familje, mundësisht gjithmonë të njëjtat.
Përjashtim do të ketë nga data 24 deri në 26 dhjetor. Përveç familjes mund të ftohen edhe katër të afërm të gradës së parë, plus fëmijë deri në 14 vjeç. Por jo të tjerë. “Nëse ftoni të tjerë mundësisht t’i reduktoni të gjitha kontaktet për një jave”, tha kancelarja.
Kancelarja gjermane u bëri thirrje punëdhënësve që ose t’i lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia, ose t’u japin leje, në mënyrë që të reduktohen sa më shumë kontaktet.
Veç të tjerash kancelarja u kërkoi qytetarëve që mundësisht të mos udhëtojnë gjatë Krishtlindjeve. Meshat dhe shërbesat fetare do të mbeten të hapura.
“Jemi duke biseduar me kishat për konceptet higjenike”, tha kancelarja. Për të reduktuar kontaktet do të ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve, dhe po ashtu edhe pirja e pijeve alkoolike në publik.
Që tani po përdoret sistemi triazhë
Kryeministri i Bavarisë, Markus Soder tha në drejtim të kundërshtarëve të masave të qeverisë se “korona është katastrofë. Çdo tre ditë vdes një njeri nga korona në Gjermani”, tha ai.
Në Bavari, ku numri i incidencës shtatëditëshe është mbi 200 në çdo 100 mijë banorë në shtatë ditët e fundit, në disa vende po përdoret që tani sistemi triazhë.
Soder tha edhe se parashikon që kjo mbyllje nuk do të mbetet me kaq, por do të zgjasë edhe pas datës 16 janar. “Përvoja tregon se vala e dytë dhe e tretë e pandemisë është edhe më e fortë se e para”, tha politikani kristiansocial.
Ndihma për ekonominë
Ministri i Financave, Olaf Scholz, tha se qeveria sërish do t’u vijë në ndihmë bizneseve që do të kenë humbje për shkak të mbylljes.
Ai tha se janë parashikuar ndihma ekonomike deri në 500 mijë euro për sipërmarrje. Në total korona do t’i kushtojë taksapaguesit gjerman 11 miliardë euro në muaj.
“Dhe kjo është në rregull, sepse kemi të bëjmë me gra dhe burra që kanë punuar gjithë jetën e tyre për të ngritur këto biznese dhe me shumë njerëz që janë të punësuar në to”, tha ministri socialdemokrat.
Scholz tha më tej, se shifrat e larta tregojnë gjithashtu se sa seriozisht duhen marrë këto masa nga qytetarët.
Në buxhetin vjetor të vitit të ardhshëm, i cili u miratua të premten në Bundestag, janë vënë në dispozicion 39,5 miliardë euro shtesë ndihma ekonomike për sipërmarrjet, plus 25 miliardë për masat për luftimin e pandemisë.