Gjatë tetorit të këtij viti është rritur numri i turistëve të cilët vizitojnë Kosovën, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me muajin tetor të vitit 2022, ka një rritje prej 30,8 për qind të numrit të pëprgjithshëm të vizitorëve.
Në tetor 2023, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj ishte 55 mijë e 022. Prej tyre 44,87 %, ishin vendorë dhe 55,13% ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin tetor të vitit 2022 (sa ishin 42 050 vizitorë) kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve për 30,8%.
Numri i net-qëndrimeve ishte 150 747, prej tyre 57,90% nga vendorët dhe 42,10% nga të huajt.
Ndërsa numrin më të madh të vizitorëve te brendshëm e ka rajoni i Pejës me 8 mijë e 688 vizitorë dhe më 41 mijë 486 net-qëndrime.
Sa i përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake tetor 2022, ka rritje të vizitorëve për 14,2 %. Në total janë 30 mijë 333 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj.