Gjatë pandemisë së koronavirusit, në Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë janë shtuar mbi 550 familje.
Të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Kryqit të Kuq të Kosovës tregojnë se numri i familjeve të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur gjatë kohës së pandemisë.
Në bazë të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se gjatë kohës së pandemisë numri i familjeve është rritur për 559 familje.
“Numri i shfrytëzuesve të Skemës së ndihmës sociale në janar të vitit 2020, ka qenë 24.229 familje, me 98.214 anëtarë të familjes, ndërsa në muajin e fundit në korrik kanë qenë 24.737 familje, me 98.725 anëtarë të familjes. Krahasuar me muajin shkurt, numri i familjeve, shfrytëzues të skemës sociale është rritur për 559 familje në skemën e ndihmës sociale”, thuhet në përgjigje për REL.
Shuma e mjeteve që këto familje marrin nga Qeveria e Kosovës, është prej 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.
Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se nisur nga numri i madh i familjeve që janë të përfshirë në skemat sociale, tregon se varfëria në Kosovë vazhdon të mbetet ende e lartë. Të dhënat e fundit për nivelin e varfërisë në Kosovë janë të vitit 2017 të Bankës Botërore dhe nuk janë përditësuar.
Sipas këtyre të dhënave, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri. Prej tyre rreth 18 për qind jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Numrit prej 14 mijë familjeve të varfra të evidentuara në Kryqin e Kuq gjatë pandemisë i janë shtuar edhe shumë të tjera, thonë zyrtarë të kësaj organizate.
Numri i qytetarëve të Kosovës që kanë humbur punën gjatë kësaj kohe konsiderohet të jetë i lartë, por që nuk ka të dhëna të sakta.