Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, ndërkohë që javën e fundit, sipas numrit të rasteve të raportuara, intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit, duke e kaluar pragun epidemik.
Sipas IKSHPK-së kjo rritje rezulton me rritje të fluksit të qytetarëve, që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.
“Gripi sezonal është sëmundje akute infektive, e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe reduktuar rrezikun”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluese, me theks të veçantë grupeve me prioritet si punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar. Personat mbi 65 vjeç dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.
Në njoftim bëhet e ditur se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85 000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksiohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare.
IKSHPK-a u bën thirrje gjithashtu qytetarëvë që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si:
Mbajtjen e higjienës personale;
Evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë;
Redukimin e vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale);
Evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz;
Ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina;
Aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm;
Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi .
Konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.