Si pasojë e erërave të forta, në fshatin Sferkë të Komunës së Klinës nuk ka furnizim me energji elektrike që nga fundjava. Shtyllat e vjetruara janë rrëzuar, e kompania KEDS, sipas tyre, nuk është marrë me problemin. Banorët e fajësuan edhe Komunën e Klinës
Të martën janë bërë 4 ditë që dy lagje në fshatin Sferkë të Klinës janë pa rrymë si shkak i erërave të forta, e që për pasojë rrëzuan 4 shtylla elektrike.
Hamdi Morina, banor i fshatit me rreth 50 shtëpi, ka thënë se shtyllat ishin të dobëta dhe se ishin të vendosura disa dekada më parë.
“Këto shtylla janë qysh prej vitit ’74 deri më tash e s’ka marrë masa askush hiç, janë dobësuar për së tepërti dhe jemi pa rrymë. Kemi edhe shumë mjete që janë prishë për shkak të rrymës”, u shpreh Morina.
Ai ka thënë se për këtë çështje është njoftuar KEDS-i, por se deri të martën nuk është ndërmarrë asgjë.
“Sot (e martë v.j.) na thanë që nesër vijmë në mëngjes, po s’kemi mjete me çka me i çelë gropat dhe me i vendos shtyllat”, deklaroi Morina.
Miftar Gashi, banor tjetër i fshatit, kritikoi Komunën e Klinës, pasi, sipas tij, nuk e ka përmbushur premtimin.
“4 shtylla i kemi të rrëzuara, ka rrezik për fëmijë, kemi pasur rrezik shumë, qysh po e shihni edhe vetë si është, shtyllat janë të prishura e të kalbura. Maru1m duke shkuar në Komunë: ‘Po, po’ e kurrgjë hiç. Nuk ka diçka, vetëm premtime boshe, badihava jemi duke shkuar”, theksoi Gashi.
Në Komunën e Klinës nuk pranuan të flasin për këtë çështje. Sipas zyrtarëve komunalë, kjo është përgjegjësi e KEDS-it.
Lulzim Krasniqi, zyrtar për komunikim në KEDS, ka thënë se kompania është në dijeni për shtyllat e rrëzuara dhe se ekipet, sipas tij, në orët e pasdites të së martës kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Ne jemi në dijeni për shtyllat e dëmtuara në fshatin Sferkë të Komunës së Klinës. Megjithatë, për shkak të angazhimit të madh që ekipet e KEDS-it patën në rajone të tjera të Kosovës, ato kanë mbetur deri më sot. Sot (e martë v.j.) ekipet e KEDS-it ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për sanimin e dëmeve aty”, u shpreh Krasniqi.
Klina është një ndër komunat më të prekura nga erërat e forta të para disa ditëve.