Rreth 4 vite në burgjet e Serbisë, Nezir Mehmetaj i rikthehet lënda nga fillimi

Ende s’ka drejtësi për Nezir Mehmetajn, kosovarin që po mbahet rreth katër vite nëpër burgjet e Serbisë. Ndonëse gjykimi ndaj tij ishte në përfundim, lajmi i fundit është se atij i është rikthyer lënda nga fillimi. Raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë së fundmi kanë bërë që të ulet niveli i sigurisë për kosovarët që po arrestohen e po mbahen në burgjet e Serbisë. Kjo po ndodh edhe me rastin e Nezir Mehmetaj.

Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e Komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020, në vendkalimin kufitar në Merdare, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Që atëherë, ai gjendet në paraburgim në Serbi. Ai përgjatë këtyre viteve është maltretuar, pasi gjykata nuk mori asnjë vendim ndaj tij.

Së fundi, vëllai i tij, Agron Mehmetaj ka folur për Gazetën Insajderi duke treguar se atij i është kthyer lënda prej fillimit.

Mehmetaj thotë se arsyeja është sepse i është ndërruar gjykatësi dhe për këtë prokurori ka kërkuar që të vazhdoj nga fillimi.

“Arsye është sepse i është ndërruar gjykatësi e tash prokurori ka kërkuar që të vazhdojë çdo gjë nga fillimi sepse si kanë shkuar punët ashtu siç ka pas dëshirë ai sepse s’ka pas asnjë mundësi të vetme që ta gjejë një fakt për ta dënuar apo të kapet diku qe t’i kryej punë”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi.

Vëllai i tij thotë se Neziri është duke u mbajtur politikisht në burg. Ai ankohet se askush nga institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për lirimin e tij derisa shton se për rastin e kidnapimit të tre policëve “po flasin çdo ditë”.

“Ai po thuajse që katër vite mbeti në burg pa asnjë fakt të vetëm dhe 100% politikisht po mbahet e se ngriti zërin askush për një qytetarë të Kosovës një mërgimtar që ka kontribuar gjithë jetën e tij nga mërgimi për këtë vend e për  tre policë  po mundën të flasin çdo ditë këtu në Kosovë po qe s’je zyrtar mbetesh në mëshirë të zotit s’merret as kush me ty”, ka shtuar ai.

Pse akuzohet Nezir Mehmetaj

Më 4 janar 2020, Nezir Mehmetaj u arrestua nga policia serbe në vendkalimin Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një urdhër të lëshuar nga institucionet e drejtësisë serbe.

Që atëherë ai është mbajtur në paraburgim në Beograd.

Mehmetaj akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e shtatë njerëzve dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në fshatin Rudicë në komunën e Klinës, si anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’), dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit, teksa gjykimi i tij ka filluar në muajin prill të vitit 2021.