Një ditë më parë në vend u shënua Dita Botërore pa Duhan, ndërsa u tha se pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë, ku çdo vit në botë vdesin rreth 8 milionë njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit, numër ky që bazuar në trendin aktual, pritet të dyfishohet gjatë 20 vjetëve të ardhshme.
Gjithashtu, u tha se çdo 6.5 sekonda në botë vdes një njeri nga dëmet që sjell tymosja e duhanit.
Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se duhanpirësit janë dy herë më të rrezikuar nga sulmi në tru, katër herë nga sëmundjet e zemrës se sa jo-duhanpirësit, 22 herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive sesa jo-duhanpirësit, rreth 25% të të gjitha vdekjeve nga kanceri globalisht shkaktohen nga përdorimi i duhanit.
Drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, tha se IKSHPK do të vazhdojë edhe më tutje të realizojë hulumtime si GYTS, STEPs dhe të tjera relevante, që të sigurojë evidencë mbi bazën e të cilave mund të ndërmerren intervenime dhe hartohen politika për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të popullatës, dhe kategorive vulnerabile të saj.
Ai tha se për këtë qëllim janë organizuar aktivitete të shumta, duke filluar nga aktivitetet nëpër shkolla, shpërndarjen e materialeve edukativo shëndetësore në qytete, porosi dhe këshilla për parandalimin e konsumimit të duhanit.
Zëvendësministre e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se nga viti 2013 kur Kosova miratoi Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe u dhanë dëshmi të qarta se kur ka një bashkëveprim të mirë të institucioneve, shoqërisë civile dhe vet qytetarëve, mund të bëhen ndryshime të pa imagjinueshme në fushën e shëndetit publik.
“Disa vjet pas, ne shohim rënie të ndjeshme të disiplinës për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili pavarësisht shkeljeve që i bëhen ka sjellë një kulturë të re edukative në shoqërinë tonë, duke prodhuar efekte në uljen e konsumit në mesin e të rinjve, siç tregon edhe Hulumtimi gjithëpërfshirës i duhan-pirjes tek të rinjtë GYTS II, i cili gjeti se në mesin të rinisë të moshës 13-15 vjeç, konsumi i duhanit nga 6.7% sa ishte para hyrjes në fuqi të ligjit, kishte rënë në 4.4% më 2016, derisa duhan-pirja pasive ishte përgjysmuar, nga 84% në 43%. Prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur konsumojnë duhan, ku burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna”, tha mes tjerash ajo.
Arben Lila-Përfaqësues i organizatës KADC, theksoi rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe theksoi se duhet pamundësuar që industria e duhanit të ketë ndikim mbi institucionet dhe të ndërhyjë në politikat e kontrollit të duhanit, siç ka bërë në disa nga qeveritë e kaluara, duke shtyrë miratimin e Udhëzimit për vërejtjet e kombinuara shëndetësore.
Ai gjithashtu, u shpreh se duhet të organizohen më shumë aktivitete, si: vendosja e fotografive në pakot e duhanit, të cilat sipas tij, në vitet paraprake, kanë treguar një rezultat shumë të mirë në lënien e duhanit.
Oleksandr Martynenko, nga Zyra e OBSh-së, Prishtinë tha se duhet të ndërgjegjësohet popullata se dëmi nga duhanpirja shkon përtej tymit të një cigareje.
Ai tha se duhani shkakton kancer dhe se çdo i dyti person duhanpirës, ka gjasa të vdesë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.
“Nga fillimi në fund – nga paketimi, transporti, konsumi – cikli jetësor i duhanit ndot, dëmton dhe përfundimisht na vret ne dhe planetin tonë”, tha ai.
Se qytetarët e Kosovës janë konsumues të cigareve tregon vlera e lartë që importohet çdo vit në vendin tonë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, brenda një viti janë importuar 3,500 tonelata të cigareve me vlerë rreth 87 milionë euro.
“Vitin 2021 kemi pasur rreth 3,500 tonelata import të cigareve me vlerë rreth 87 milionë euro dhe total të taksave të paguara rreth 236 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Doganës për Telegrafin.
Ndërsa, deri në muajin maj janë mbledhur 95 milionë euro taksa nga importi i duhanit. “Deri në muajin maj kemi rreth 1,400 tonelata me vlerë rreth 34 milionë euro dhe taksat e paguara janë 95 milionë euro”, thekson Dogana e Kosovës.
Gjermania, Kroacia dhe Turqia janë vendet kryesore që importohet më shumë cigare në vendin tonë.
“Gjermania, Kroacia, Turqia, Polonia, Zvicra dhe Greqia janë disa nga vendet kryesore që Kosova importon cigare”, përfundon përgjigjja.