Komuna e Pejës ka pranuar të premten rreth 950 vaksina të reja antiCOVID, por që tollovia e krijuar në Prishtinë kishte bërë që procesi i vaksinimit në këtë komunë të shtyhet,
Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë se ky proces ka filluar sot dhe gjithçka deri më tash ka shkuar mirë.
Sipas tij, vetëm në ditën e sotme janë vaksinuar rreth 130 persona kundër COVID-19, teksa tha se për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve janë të gatshëm ta ftojnë edhe Policinë e Kosovës.
“Gjatë ditës së sotme janë vaksinuar rreth 130 persona. Vaksinimi është duke u bërë me plan. Ata që kanë aplikuar online apo që janë paraqitur më herët në qendrat e vaksinimit ftohen me orë dhe minuta të saktë për të mos krijuar radhë dhe tollovi”, ka deklaruar Loci për RTV Dukagjini.
Ne marrim çdo ditë lista të azhurnuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe jemi të obliguar të zbatojmë ato lista. Nëse ka hapësirë mund të vazhdojmë me vaksinimin e personave tjerë”, shtoi ai.