Vasfije Krasniqi është një prej shumë grave të dhunuara seksualisht nga ushtarët serbë gjatë luftës së tmerrshme në Kosovë. Ajo ka rrëfyer historinë e saj të trishtë para mediave në Shqipëri.
Krasniqi u rrëmbye nga serbët kur ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa po qëndronte në shtëpi me familjarët.
“Unë nuk e harroj as ditën, as datën, as muajin, as orën kur ata më rrëmbyen nga shtëpia. Polici serb që më mori me dhunë dhe nuk ishte askush që mund të të mbronte dhe të më dilte në krah që ai të mos më merrte. Ishte nëna në shtëpi, gruaja e xhaxhait, polici më mori prej flokëve të më largonte nga oborri. Xhaxhi erdhi nga oborri i tij tha veç ta di pse po ma merrni vajzën dhe polici tha mos lëviz ose do t’ju mbys të gjithëve. Ai ka qenë i armatos, ka qenë me kallashnikov, me thikë”, tha ajo për Top Channel.
Tutje, Krasniqi tregon momentin e rrëmbimit dhe pyetjet që ushtarët serb ia bënin asaj.
“Nuk e harroj kurrë prej nënës time, se mendoja se ajo mundej të më mbronte, mos me më lënë ata me më marr. Ai më mori dhe futi në makinë. Ai tha kjo duhej të deklarojë në polici se ku është babi dhe vëllezërit. Më dërguan në një fshat të serbëve, aty ishte një tmerr, doja vetëm të më vrisnin se nuk e dija se ç’do të bënin ata me mua. Po të kesh një 16-vjeçare shqiptare në një fshat të mbushur tërësisht me serbë, kohë pranvere ka qenë rinia duke lozur”, vazhdoi ajo.
Ajo thotë se nuk e harron asnjëherë datën, mëngjesin, darkën e drekën e asaj dite.
“Ky polici kishte një çakmak dhe ma vendosi tek fytyra dhe më thoshte shih çfarë kam. Unë vetëm qaja se nuk e dija ç’do të bënin me mua. Ajo ka qenë një ditë që kurrë nuk e harroj. Nuk e harroj as në mëngjes, as në drekë, as në darkë e kam në memorie. Unë kam qenë një fëmijë shumë i lumtur, kam pasur ëndrra për jetën time, por me rastin që më ndodhi, më humbën shpresat e jetës”, tha ajo.