Një përleshje me armë zjarri ka lënë të vdekur një person dhe pesë të tjerë të plagosur. Deri më tani nuk janë bërë të ditur motivet që quan deri te rasti.
Ata që i njohin nga afër të dy familjet, kanë thënë se ata nuk kanë pasur më herët telashe mes vete, transmeton Njëshi.
Mëngjesin e ditës së sotme, gjashtë persona janë përleshur me armë zjarri në fshatin Hallaq të komunës së Lipjanit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se njëri nga ta ka ndërruar jetë, derisa, pesë të tjerë janë dërguar me urgjencë në QKUK.
Forca të shtuara të policisë së Kosovës, janë parë para shtëpisë së personave të përfshirë në rast.
Raportohet se bëhet fjalë për familjen Hoxha dhe Jakupi, shtëpitë e të cilëve janë shumë pranë njëra tjetrës.
Fqinjët e dy familjeve kanë bërë të ditur se më parë nuk kishte pasur konflikte në mes të familjes Hoxha dhe Jakupi.
Bahri Tërpeza ka thënë se dy familjet kanë punuar edhe më parë në disa biznese së bashku.
“Rasti që e dëgjova është i dhimbshëm. Këto dy familje Hoxha e Jakupi kanë qenë të afërt mes vete s’kan pasur konflikt më heret. Kanë punuar në disa biznese. Gjithë kanë pasur bashkëpunim mes vete kanë qenë të afërt mes vete”, thotë komshiu i tyre
Lavdim Troshupa, një komshi tjetër ndërkaq ka bërë të ditur se personi që ka ndërruar jetë kishte ardhur nga Zvcira para pak ditësh.
“Po tash e bastisën njërën nga shtëpitë. E gjetën dy thika e një shufër. Është e vërtete e kanë qu mes vete shumë mire. Njëri nga djemtë e njërës familje ka ba fjalë me këta të familjes Hoxha. I vdekuri ka ardhur nga Zvicra para tri dite”, tha ai.
Detaje për rastin kanë dhënë edhe policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë se policia e ka marrë informacionin sot rreth orës 07:00.
“Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin për një plagosje me arme zjarri në fshatin Hallaq i madh të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, tha Ahmeti.
“Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë plagosur 6 persona, prej tyre një mashkull, shtetas i Republikës se Kosovës, i cili nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha Ahmeti.
Forca të shtuara të policisë së Kosovës ndërkaq momentalisht gjenden para emergjencës së QKUK-së, aty ku po trajtohen të plagosurit. /