Rrëfimi drithërues i mësimdhënësit nga Klina, në vigjilje të 7 Marsit

Shkruan Prof Pal Canaj

Në vigjilje të Ditës së Mësuesit

RIKUJTIM PËR URIMIN E 7 MARSIT

Ishte pragu i pranverës së vitit 1995, një ditë marsi e freskët dhe me plot diell. Isha nisur për të mbajtur orët mësimore në “Punktin e Gllarevës”, atje ku i kishim një pjesë të nxënësve të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës, të cilët nga regjimi serb ishin përzën dhunshëm prej objekteve të tyre shkollore. Erdhi një autobus nga Istogu që po shkonte në relacionin për Prishtinë. Hyra në autobus dhe automjeti vazhdoj udhëtimin.
Në udhëkryqin tek rruga e Gjakovës , në fshatin Dollc, në të shumtën e rasteve milicia serbe krijonte postbllokun, ku legjitimonte udhëtarët duke mos përjashtuar edhe keqtrajtimet fizike dhe arrestimet. Për ata që udhëtonin shpesh në këtë relacion, ky lokacioni ishte shndërruar në një ferr të vërtetë. Kështu ndodhi edhe atë dite marsi, posa arriti autobusi në Dollc, milicia serbe dha shenjë për ndalim të automjetit. Hynë në autobus dy prej milicëve, ndërsa tre të tjerë po qëndronin jashtë. Filloj avazi i tyre duke legjitimuar udhëtarët, duke parashtruar pyetje të ndryshme përmes britmave dhe sharjeve. Në njërën prej ulëseve të autobusit ishin edhe dy gra, nëna shqiptare, njëra prej tyre mbante në prehër një foshnje të mbështjellë në pelena. Milicët pasi i legjitimuan edhe ato, urdhëruan nënën që të zgjidhte foshnjën nga pelenat. Foshnja ishte në gjumë dhe gjatë përpjekjes nga nëna e tij për ta zgjidhur nga pelenat, trupi i njome i tij e hetoj ajrin e freskët dhe foshnja filloj të qajë. Milici që mbante gishtin në këmbëzën e automatikut, me britmat e tij të egërsuara prej bishe, po e quante foshnjën “terrorist shqiptar”, dhe duke iu drejtuar nenës “ju edhe petkat e foshnjave i keni të dyshimta”. Situata e tillë në këtë rast u krijua e rendë, prej një gjendje të pllakosur nga mortja.
Pas kësaj skene tmerri shoferi i autobusit urdhërohet që të vazhdonte rrugën për ku ishte nisur. Mbas një copë rruge konduktori vazhdoi t’i ndante biletat. Kur erdhi radha e ime për të marr biletën, konduktori e refuzoj këtë, (duke thënë se ti dukesh të jesh mësimdhënës) dhe kërkoj që të pranoja një urim nga ana e tij. Unë mbeta i stepur se çfarë urimi mund të kishte ai njeri në këtë situate e cila na kishte shqetësuar të gjithëve. Konduktori zgjati dorën, dhe shtrëngojë dorën time me një rreptësi prej malësori, duke me thënë : “urime mësues, urime 7 Marsi Dita e Mësuesit, se shkolla jonë kombëtare përballoi pushtues të ndryshëm, ashtu sikurse po përballon egërsinë e milicisë serbe, dhe kjo shkollë do të jetoi sa vet bota”.
Autobusi erdhi në Gllarevë, zbrita më të shpejtë, duke u drejtuar kah shkolla me kujtimin për urimin e kësaj dite, urimin e Ditës së Mësuesit.
Gjurmët e këtij kujtimi edhe sot i kam të freskëta për urimin e 7 Marsit, nga konduktori që nuk e njihja dhe që kurrë më nuk e kam takuar.
.
(Rishkrim)

Foto: Në Gllarevë të Klinës, me nxënësit e vitit të III të Gjimnazit “ Luigj Gurakuqi “, të përzënë nga objektet shkollore nga ana e Serbisë.
Gllarevë, Maj, l994