Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Rrahman Rama, sot ka vizituar vendin historik ku 41 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga Komandant Mujë Krasniqi, dhanë jetën për lirinë e Kosovës, shkruan Klina.info.
“Mujë Krasniqi nuk ishte vetëm një luftëtar, por simboli i guximit dhe sakrificës. Ai ndezi shkëndijat e para të lirisë, duke i dhënë shpirt luftës së UÇK-së dhe frymë çlirimit të Kosovës,” tha Rama, teksa vuri në dukje heroizmin dhe vizionin e komandantit legjendar.
Rama përkujtoi gjithashtu sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Krasniqi, e cila qëndron si model i përkushtimit ndaj atdheut. Katër nga gjashtë djemtë e kësaj familjeje u rreshtuan në radhët e UÇK-së, ndërsa Mujë dhe Ali Krasniqi ranë dëshmorë, duke vulosur emrin e tyre në historinë e lavdishme të Kosovës.
“Gjaku i dëshmorëve është themelet e shtetit tonë. Kujtimi për ta do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për ne, për të ndërtuar një Kosovë që i bën nder sakrificës së tyre,” përfundoi Rama.
Vizita shërbeu si një homazh i veçantë për të kujtuar dhe vlerësuar përjetësisht ata që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.