Nuk ka përfundim të grevës në arsim e administratë publike. Një sqarim i tillë vjen nga Rrahman Jasharaj, që është kryetar i SBASHK-ut, por edhe pjesë e Këshillit Grevist.
Në deklarim për RTK-në, Jasharaj shprehet se nuk kanë marrë ndonjë sinjal e as ftesë nga Qeveria, për ndonjë takim gjatë ditës së sotme (e martë).
Kreu i SBASHK-ut rikonfirmon se greva po vazhdon me vendim të kryesisë së sindikatës.
“Të dy palët duhet të ndihen të barabarta e të dy palët duhet të ndihen fitues me marrëveshje, sepse po kontribuojnë për stabilizimin e situatës”, thotë Jasharaj për RTK-në.
Sipas tij, Qeveria asnjë kontribut nuk e ka dhënë deri më tani që të mos arrihet në këtë situatë.
Nëntë muaj e kemi lutur e madje grevën e kemi nisur me datë 25 gusht, duke uruar që deri me 1 shtator të bëhet diçka”, thotë Jasharaj.
E Qeveria në vend të kësaj, zgjedh deklarata të ashpra, që ndikojnë edhe më keq te anëtarësia”.
Ai ka konfirmuar se të mërkurën në Kosovë do të qëndrojë drejtoresha e Unionit të Sindikatave të Arsimit, Susan Flocken, e cila pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.