Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës, do të nisë së shpejti zbatimin e projektit për rindërtimin e kadastrit në zonat kadastrale: Dush i Vogël, Klinë dhe Dresnik.
Ky projekt ka për synim harmonizimin e gjendjes faktike në terren me të dhënat në sistemin kadastral, duke i hapur rrugë zyrtarizimit të pronës private dhe zgjidhjes së çështjeve të trashëgimisë e legalizimeve.
Përfitimet e këtij projekti janë të shumëfishta për qytetarët, përfshirë:
• Zyrtarizimin e të drejtave pronësore jo-kontestimore, veçanërisht në rastet e trashëgimive;
• Njohjen zyrtare të marrëveshjeve të mëhershme gojore për shitblerje pronash;
• Realizimin e matjeve gjeodezike të sakta dhe përgatitjen e dosjeve për procesin e legalizimit.
Faza e parë e projektit do të përfshijë organizimin e takimeve informuese me banorët, ku qytetarët do të njoftohen për:
• Planin dhe dinamikën e rindërtimit të kadastrit,
• Rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve përkatëse, përfshirë Agjencinë Kadastrale, Zyrën Kadastrale Komunale dhe Komunën,
• Angazhimet e operatorit ekonomik që do të zbatojë projektin,
• Të drejtat dhe obligimet e vetë banorëve në këtë proces.
Të gjitha shërbimet dhe aktivitetet që përfshihen në këtë projekt do të realizohen pa asnjë pagesë për qytetarët.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt rregullimit të çështjeve pronësore dhe përmirësimit të sigurisë juridike për të gjithë banorët e këtyre zonave.