Mbeturinat e raketës kineze që po kthehej sërish në Tokë janë shpërbërë mbi Oqeanin Indian. Lajmin e bën të ditur Kina. Pjesa më e madhe e raketës u shkatërrua gjatë rikthimit, por pjesë të tjera ranë në një pozicion 72.47 ° në lindje dhe 2.65 ° në veri, njoftoi media shtetërore kineze. Sipas këtij drejtimi ato ranë në perëndim të Maldiveve.
Faqet e gjurmimit në SHBA dhe Evropë prej ditësh monitoruan me kujdes rënien e pakontrolluar të raketës Long March-5b. Media shtetërore kineze tha se pjesët e raketës hynë sërish në atmosferë në orën 04:24 të mëngjesit të kësaj të diele.
Komanda Hapësinore e SHBA-së konfirmoi rihyrjen në Gadishullin Arabik të raketës, por nuk dihet si ndikuan mbeturinat në tokë ose në ujë. Përpara rënies në tokë, ekzistonte frika që raketa mund të binte në ndonjë zonë të banuar. Por ekspertët thanë se shanset që dikush të goditej nga një copë mbetje hapësinore ishin shumë të vogla, kjo për shkak se, shumë nga sipërfaqja e Tokës është e mbuluar nga oqeane dhe zona të mëdha toke që janë të pabanuara./K.C/dritare.net