Inspektorati i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marr vendim që të anulohet vendimi për shkarkimin e Argjent Sefës nga pozita e Sekretarit të Postës të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Sefa përmes një komunikate drejtuar mediave.
Ai ka thënë se, shkarkimi i tij nuk ka qenë vendim i bazuar në asnjë indikator matës të performancës ose mekanizmave të tjerë të ngjashëm.
“Të nderuar përfaqësues të mediave. Duke pas parasysh mënyrën e shkarkimit tim nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Postës së Kosovës, i cili nuk ka qenë vendim i bazuar në asnjë indikator matës të performancës ose mekanizmave të tjerë të ngjashëm, e veç këtyre mbledhja e bordit për shkarkimin tim është tentuar të bëhet medial, duke ftuar edhe policin, pa asnjë arsyeje! Andaj, përmes këtij e-maili dua t’ju informoj se sot me datë 14.12.2020, kam pranuar Vendimin nga Inspektoratit i Punës, përmes së cilit kërkohet të anulohet vendimi për shkarkimin tim, si dhe kthimi në pozitën e më hershme të Sekretarit/Këshilltarit të Postës së Kosovës. Për më tepër, ju lutem referojuni Vendimit të bashkangjitur”, ka thënë Sefa.
Ndryshe, vendimin për shkarkimin e Argjent Sefës nga pozita e sekretarit të Postës, e kishte marrur Bordi i Përkohshëm i kësaj ndërmarrje i emëruar nga ish-kryeministri, Albin Kurti.