PUBLIKUAR NGA
BLERINA RACAJ
Në vitin 2019 në Zvicër u mbajt festivali “Alba Festival”, një nga ngjarjet muzikore më të suksesshme në diasporë. Pas lehtësimit të masave të pandemisë COVID-19, ky event do të rikthehet, kësaj radhe edhe më fuqishëm.
Festivali do të mbahet në Zyrih, me datat 4 dhe 5 shtator, derisa përgatitjet për këtë spektakël në qiell të hapur, thuajse kanë përfunduar.
Edhe këtë edicion, prezantuese do të jetë një nga femrat më të suksesshme në botën e modës në Zvicër, Mimoza Lekaj, e cila ka dhënë detaje në lidhje me programin dhe mbarëvajtjen e këtij viti.
Ajo në emisionin N’NEJË ka thënë se tashmë janë disa emra të famshëm, që kanë konfirmuar që do të jenë pjesëmarrës, duke zbuluar kështu disa prej tyre.
“Konfirmimet tashmë janë parë edhe në faqen tonë zyrtare në Instagram. Po ashtu edhe të gjitha informacionet e tjera, ku jemi mundu t’i bëjmë në disa gjuhë, ku çdo dy – tri ditë tregojmë për ndonjë artist të ri”, ka thënë ajo.
Interesim sipas saj kanë shprehur nga të gjitha vendet e botës, deri nga Amerika e largët. Pasi që edicioni i parë ka pasur bujë shumë të madhe, me 20 mijë pjesëmarrës.
“Ma special këtë vit do të jetë, pasi që dy vite s’kemi pas mundësi ta bëjmë për shkak të pandemisë. Dhe jam e bindur që do të kënaqemi së bashku, pasi është festivali i parë pas pandemisë në Zvicër. Veç konfirmimit të Ledri Vulës dhe Orhidea Latifit – Kida, gjithashtu po e zbuloj se do të jetë edhe grupi Elita 5, por edhe shumë emra të tjerë të njohur nga muzika”, tregoi Lekaj.
Ajo gjithashtu shtoi se në këtë edicion, për shkak të pandemisë, kanë paraparë që të jenë 10 mijë pjesëmarrës në secilën datë. Ndërsa tha se të pranishmit s’do të jenë të obligueshëm të vendosin maska.
“Por, ata që tashmë kanë blerë biletat dhe të tjerët që kanë dëshirë të vijnë, duhet ta bëjnë testin për COVID-19 në Zvicër, por edhe ata që janë vaksinuar në këtë shtet. Ndërsa, nëse izolohemi për shkak të gjendjes pandemike, atëherë 90 për qind e të hollave do t’u kthehen nga shuma e biletës”, shtoi më tej blogerja dhe prezantuesja e njohur.
Meqë dëshira është shumë e madhe edhe nga Kosova që të jenë pjesëmarrës në këtë festival, por s’kanë mundësi për shkak të vizave, ata kanë bërë të mundur që këtë edicion ta sjellin përmes ekranit të ATV-së, që do të jenë sponsor medial.
Mimoza ka treguar se këtë edicion veç saj, në prezantim do të jetë edhe Meriton Mjekiqi, duke bashkuar kështu Kosovën me diasporën.