Mujë Krasniqi ishte ndër shkëndijat e para të luftës së armatosur të UÇK-së në Kosovë, si dhe njëri ndër të parët luftëtarë të paktë të UÇK-së.
Mujë Krasniqi lindi më 6 qershor 1967 në fshatin Çabiq të Klinës. Filloren e ka kryer në Ujëmirë të Klinës.
Trualli i familjes së prindërve Mujë e Shehide Krasniqi lindi 11 fëmijë, ndër ta gjashtë djem, katër nga të cilët ishin ushtarë të UÇK-së, kurse dy ndër ta, Muja e Aliu, ranë dëshmorë.
“Muja, së bashku me Beqën (Beqir Gashin, rapsod e dëshmor) ishin të kyçur herët në lëvizjen ilegale, kur ishte nxënës i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, në paralelet e ndara në Kijevë. Aty, pranë e profesoreshën Xheve Krasniqin – Lladrocin (dëshmore legjendare), e cila i drejtonte dhe i frymëzonte për veprime atdhetare”, përkujton Brahim Gashi, mik i Mujës, rapsod e arsimtar i muzikës e vëlla i dëshmorit Beqir Gashi.
Që në ato vite, në shoqëri me rapsodët nga Mleqani, Muja e donte këngën. Kur e organizuan celulën ilegale atdhetare, ishte viti 1984, kur Muja i kishte 17 vjet, për të qenë aktiv në këtë lëvizje deri në rënien e tij.
Në lëvizjet e hapta të protestave shqiptare që shpërthyen gjatë viteve ’80, Muja e Beqa i kishin ngritë peshë shpirtrat e revoltuar të prindërve, nxënësve e arsimtarëve, tek këndonin këngë shqiptare për figurat shqiptare që po i sulmonin serbomëdhenjtë e trabantët e tyre shqipfolës.
Kur Beqa këndonte për Luigj Gurakuqin, figurën e të cilit po e sulmonin shqipfolësit e yshtur nga serbomëdhenjtë, alarmohen edhe qarqet policore e ato pushtetore.
Këta të dy, që nga atëherë i kishin bashkuar këngën, organizimin e qëndresës shqiptare dhe më vonë, edhe pushkën.
Kështu, kur ndodhën demonstratat e vitit 1989, ai së bashku me Sylejman Selimin, me armë iu kishte zënë pritë forcave serbe, në mbrojtje të demonstruesve, kur me atë rast plagosen disa demonstrues nga fshatrat e Ujëmirit e nga Çabiqi.
Prej vitit 1990 e këndej ka qenë gjithnjë në shënjestër të përndjekjes së milicisë serbiane.
Nuk pushuan së arrestuari, së keqtrajtuari apo së përndjekuri as anëtarët tjerë të kësaj familjeje gjatë një dekade.
Porse Muja dallonte që në ato vite dhe shpesh e thoshte se Kosova çlirohet vetëm me grykën e pushkës, pa ua mohuar të tjerëve kontributin atdhetar në lëmi tjera.
Kishte ndodhur lufta e rrethimi në Prekaz, më 1991. Ishte plagosur në atë luftë edhe daja i tij, luftëtar, Vesel Selimi. Prandaj, me të të afërmit tjerë Selimi të këtij fshati, figura të njohura më vonë në gjithë Kosovën, Sylejman e Rexhep Selimi, bëjnë organizimin e mbrojtjes së Açarevës (sipas revistës “Interesi nacional” 24 dhjetor 2001, Prishtinë). Muja, për një dekadë rresht, ka ndërmarrë aksion pas aksioni në ilegalen atdhetare të armatosur. Ishte ndër bartësit kryesorë të luftës e të themelimit të UÇK-së. Që në aksionet e para ishte së bashku me Jasharajt e luftarët e Açarevës.
Mujë Krasniqi ishte ndër shkëndijat e para të luftës së armatosur të UÇK-së në Kosovë, si dhe njëri ndër të parët luftëtarë të paktë të UÇK-së.
Prej vitit 1993 e deri më 1996 punoi e veproi në ilegalitet të thellë, për shkak se përndiqej nga regjimi serb, ai u detyrua të kalojë në arrati. Më 1993 e kishte kryer aksionin e parë, për të vazhduar me shumë të tjera.
Edh pse punoi e veproi në kusht të vështira, nuk e lëshoi Kosovën, por qëndroi duke vazhduar luftën me intensitet më të lartë. Në tetor 1996 strehohet në Prekaz, në familjen Shaban Jasharit e Hamëz Jasharit. Mandej në familjet Haradinaj në Gllogjan, Brahimaj në Jabllanicë (tash Shqiponjë) etj.
Muja me bashkëluftëtarë për ditë e zgjeronte UÇK-në me luftëtarë të rinj. Kur krisi lufta në Kosovë, ai ishte në pozicionin e parë në fshatin Lludoviq.
UÇK ua zë pritat forcave serbe, ku armiku pati humbje. Prandaj serbët gjuajnë e dhe nëpër objekte shkollore a shtëpi, kur në shenjë hakmarrjeje, vritet mësuesi Halil Geci.
Në varrimin e këtij mësuesi, Muja ishte njëri ndër tre ushtarët që bëri paraqitjen publike të UÇK-së në Llaushë së bashku me Daut Haradinajn e Rexhep Selimin).
Daut Haradinaj thoshte: “Unë e Mujë Krasniqi dolëm para masës pa kurrfarë maske, kurse Rexhepi iu drejtua masës me maskë, në emër të UÇK-së, duke e bërë të ditur opinionin e brendshëm e atë ndërkombëtar se UÇK-ja është ajo që lufton për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar dhe për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb.
Ishte 43 vjetori i lindjes së komandantit legjendar, Adem Jasharit, kur UÇK-ja nga veprimi ilegal kaloi në veprim legal.
Ishte koha e betimeve të mëdha para flamurit; kohë që do të vinte me martirizimin e grave, pleqve, fëmijëve e të tjerëve deri në çlirimin definitiv të Kosovës; kur kjo ushtri më e reja e më e suksesshmja në Ballkan, po bënte kthesa historike.
Tashmë ai e shembi mëdyshjen dhe thashethemet për ekzistencën ose mos ekzistencën e UÇK-së, për sloganet tjera denigruese.
Porse vetë Muja kishte bashkëpunuar me të gjithë nga të gjitha viset kryengritëse shqiptare; duke qenë i afërt e sinqertë me të gjithë bashkëluftëtarët, me popullin që e mbështeste. Dallohej si strateg, trim, gjakftohtë në veprime luftarake.
Sa e sa herë kishte shkuar vetë, në ballë të këtyre grupeve, Muja, për ta furnizuar UÇK-në me armë, duke përballuar shtigjet e gjata këmbë, motin e lig, pritat armike, terrenin e vështirë.
Ndërkaq, më 5 mars të vitit 1998, Mujë Krasniqi luftonte në Burojë e në Vojnik, kur lufta tashmë po merrte përmasa të gjera. Kudo u shqua me trimëri, guxim e me aftësi luftarake.
Në prill të vitit 1998, gjatë kryerjes së detyrës së dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Muja plagoset rënda tash për herë të dytë, mbasi herën e par ë ishte plagosur në luftimet në Rrafshin e Llullës. megjithatë, ai i mposht plagët. Në këtë kohë spitali ushtarak ishte vendosur në Likoc. Mjeku Fadil Beka bënte çmos që të përmirësohej gjendja e Mujës, deri në ndërhyrjen kirurgjikale.
Makineria ushtarake-policore serbe e kishte njohur mirë fshatin Çabiq, sepse aty gjendeshin rrënjët e rezistencës së armatosur, aty ku e kishte vendin e tij të lindjes edhe komandant Mujë Krasniuqi, vëllai i tij dëshmor, Aliu.
Gjithashtu, luftëtarët e lirisë së këtij fshati, i kishte stërvitur e dhënë zemër për luftë edhe strategu i madh, Bekim Berisha, i njohur me nofkën Abeja. Andaj, makineria serbe e kishte vështirë të depërtonte e ta pushtonte këtë fshat. Filluan betejat e mëdha në këto anë që në pranverë të vitit 1998.
Kështu, e tillë ishte beteja e forcave të UÇK-së në Rigjevë, në Stapanicë, në zonat e fshatit Çabiq, në Qëndresë (ish Gllarevë); vijë luftarake front ale që shkonte kah Kijeva, e cila atëherë konsiderohej si pika më e rrezikshme dhe më e nxehta në Evropë. Për dy vite luftë nga ky fshat u martirizuan 24 veta: pleq, gra, foshnje, civilë duarthatë, vetëm pse gjendeshin pranë UÇK-së, me të cilën ndanin dhimbjet, mundimet, gëzimet e fitoreve dhe fatin e Kosovës.
Duheshin përgatitje për beteja të reja.
Kur u nisën për kufi 141 bashkëluftëtarë për të dërguar armë në Kosovë, më 13 dhjetor 1998, në Cahan të Hasit, Mujë Krasniqi i inkurajon luftëtarët; nga ta nuk ndahen as të plagosurit. Sepse kështu kishte vepruar vetë komandant Muja, me plagë në trup, i cili nuk kishte pranuar të qëndronte më gjatë për shërim dhe i cili nuk pranonte të qëndronte larg luftës e larg luftëtarëve, larg forcës së organizuar ushtarake.
Ishte dimër i vështirë. Bjeshkët e Shkëlzenit ishin të mbuluara me borë. Natë e errët ishte, ora ishte diku kah dy pas mesnate, kur po gdhinte dita e 14 dhjetorit; kur vëzhguesit bien të parët në pritë.
Lufta ishte e pabarabartë. Beqa në këtë betejë, tek po e çante trashësinë e borës, me bashkëluftëtarë, po shembnin edhe kufirin ndërshqiptar, në Lugun e Zi te Lkeni i Ahishtes. Po shembej miti serb i rrethimit të kufirit të hekurt, i atij muri të tragjedive shqiptare. Propaganda serbe u mundua ta mbulonte ngjarjen, por aty u zhvillua një betejë e ashpër, ku komandant Mujë Krasniqi, me Beqën e të tjerë, disa herë e theu rrethimin e hekurt serb. Duke bërë përpjekje që nga ai rrethim i zjarrit, t’i tërhiqnin shokët, bien edhe ata.
Pas rënies së Mujë Krasniqi, Brigada 113 mori emrin e komandant Mujë Krasniqi, e cila gjatë luftës i dha kombit edhe 166 dëshmorë tjerë. /kp/