Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë gjendja është rënduar jashtëzakonisht nga numri i madh i pacientëve me Covid-19.
Aktualisht në këtë spital janë duke u trajtuar 162 pacientë, prej të cilëve 123 janë me oksigjenoterapi.
Ky është numri më i madh që ka pasur ky spital që nga fillimi i pandemisë, gjë që ka vështirësuar punën.
“Në fazat e mëhershme kemi pas 166 shtretër të dedikuar për pacientë me Covid-19. E kemi rritur kapacitetet me disa reparte tjera që kemi bërë disa lëvizje të brendshme dhe kapacitete aktuale i kemi deri në 220 pacientë”, tha zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti.
Sahiti ka thënë se aktualisht spitali është i furnizuar mirë me oksigjen dhe barna esenciale.
Ndërkohë me një projekt të Ministrisë së Shëndetësisë është montuar edhe një rezervuar i oksigjenit të lëngshëm prej 10 tonësh, i cili pritet që këtyre ditëve të futet në funksion
Por probleme të mëdha spitali ka me numrin e pamjaftueshëm të personelit mjekësor, sidomos për përkujdesjen e pacientëve gjatë ndërresës së natës.
Për këto ankesa dhe shqetësime kanë shprehur familjarët e pacientëve të shtrirë.
“Ne jemi në një situatë të rënduar për shkak të numrit të vogël të personelit shëndetësor dhe po presim që sot përfundon një konkurs dhe jemi gjithë me shpresë së shpejtë do të bëhet rekrutimi dhe të vijnë punëtorët e rinj të na ndihmojnë se jemi jashtëzakonisht keq me personel”, tha Sahiti.
Shefi i repartit të Pulmologjisë, Fahri Hasani, ka thënë se 95 për qind e pacientëve që po trajtohen nuk janë të vaksinuar.
“Kjo tregon se s’ka formë tjetër të mbrojtjes përveç vaksinimit. Kështu që gjithë ata që hezitojnë, le të mendojnë dy herë nëse e duan shëndetin e vet, të familjes dhe shoqërisë, duhet të vaksinohen patjetër”, tha Hasani.
Deri tash në Komunën e Pejës janë vaksinuar 36 mijë e 930 persona.