Rritja drastike e rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, ka ndikuar që të rritet edhe numri i pacientëve të shtrirë në spitale,
Aktualisht, në Kosovë janë 10 mijë e 191 raste aktive me COVID-19, prej të cilëve mbi 700 janë duke u trajtuar në spitalet rajonale dhe në klinikat e QKUK-së. Vetëm në këtë të fundit, janë duke u trajtuar 261 pacientë, prej tyre 23 janë në kujdesin intensiv.
Ndërsa, në spitalet rajonale 477 pacientë me koronavirus po marrin trajtim mjekësor, kurse 13 persona janë në respiratorë, 47 në CPAP dhe 489 tjerë duke u mbështetur me oksigjen.
Në 24 orët e fundit në Kosovë është shënuar numër rekord i rasteve të reja me COVID-19, ku rezultuan pozitivë 963 persona prej 2 mijë e 56 testimeve të bëra, ndërsa janë shënuar 13 viktima.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, janë regjistruar 27 mijë e 851 raste me koronavirus, prej të cilëve 798 persona kanë ndërruar jetë.