REKUIEM PËR ADEMIN (poetit Adem Gashi)

Sot po ta them,
pa të njohur fare
të kam ndier të madh
Adem,
asnjë dimër i stinës
s’të bëri tjetër
asnjëherë,
Adem gjithherë.

Më ke mësuar
e më mëson
si të gdhend
deri në bukuri të vet
fjalë e shkronja,
si sot mbaj mend
kur më pyete
pse më duhet kaq shumë Troja.

(seç na ndeze një dritë
kur mbi shkretëtirë
villte terr
një hënë bejtesh
e verdhë e zbehtë,
ti fanar, ti zgalem, Adem)

Sot po ta them,
pa të njohur fare
të kam ndier të madh
dhe nuk bëhesh tjetër
asnjëherë,
në zanafillë
e në mijëra vjet
Adem.

Ty
gëzimi ynë i rrallë
të shprush nëpër shpirt
lumenj të gjatë
e dhimbja,
ah, dhimbja
e ditëve tona të sëmura keq,
ta zgjon në kraharor shtrëngatën,
Adem.

(janar 2024)

PIKË E PESË

Pikë e pesë
e pesë e pikë,
edhe të shqipes,
edhe të qyqes.

Pikë e pesë
e pesë e pikë,
larg prej vatrës,
larg prej shtëpisë.

Larg prej vetes
e larg prej jetës,
pakica të nënës,
shumica të njerkës.

Pikë e pesë
e pesë e pikë,
ikim nga vetja
që të gjithë.

SIPAS LIGJIT

Qind për qind
e një metër më shumë
sipas ligjit
mjekët konstatojnë vdekjen
e secilit,
sipas ligjit
bëhet obduksioni,
sipas ligjit
fillojnë hetimet,
pra, sipas ligjit
mjekët konstatojnë vdekjen
për të gjithë,
pavarësisht
nga cilat vdekje demokratike vijnë,
a ra në kantierin e ndërtimit
një djalë
i fshatarit të varfër
nga kati i tretë
apo në rrugën e kombit mbetën
shtatë a tetë,
të gjitha procedurat
bazohen qind për qind në ligj
për të vdekurit e vendit tim
(sepse, gjithnjë sipas ligjit
dhe vetëm me ligj,
ekziston edhe komisioni i dytë
që kontrollon fjalë për fjalë,
në rast ankese nga i vdekuri,
procedurën e komisionit të parë
se mos ka pasur shkelje eventuale
gjatë konstatimit ligjor
të vdekjeve të qytetarëve).