Dhuna në familje po vazhdon të jetë njëri ndër problemet më të mëdha në shoqërinë kosovare. Viktima më të shpeshta të kësaj dhune janë femrat, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndonëse kjo dukuri po vazhdon, viktimat po ngurrojnë t’i denoncojnë këto raste në polici.
Këtë e dëshmon edhe fakti që një grua në Fushë-Kosovë më 11 nëntor e denoncoi dhunën në familje, vetëm dy javë pasi që u divorcua nga bashkëshorti i saj, për të cilin raportoi se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikike.
Gruaja nga Fushë Kosova është njëra nga 1 mijë e 845 viktima të dhunës që i denoncuan në polici rastet dhunës në familje gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti.
Nga Policia e Kosovës i kanë thënë Sinjalit se 1 mijë e 437 viktima të rasteve të dhunës në familje të raportuara gjatë kësaj periudhe janë femra.
Rastet e dhunës në familje shënuan rritje sidomos gjatë pandemisë në vitin 2020, pasi që masat anti-COVID, mbyllën për disa muaj në shtëpi qytetarët. Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, gjatë këtij viti janë raportuar 2 mijë e 69 raste të dhunës në familje (ndër to 1 mijë e 636 viktima kanë qenë femrat), krahasuar me vitin 2019 kur në organet e sigurisë dhe rendit u raportuan 1 mijë e 914 raste të dhunës në familje.
Rasti më i rëndë i dhunës në familje gjatë këtij viti u shënua në Ferizaj. Atje, më 22 gusht 2021 u vra 18-vjeçarja Marigona Osmani. Të dyshuar për vrasjen e saj janë bashkëshorti i saj Dardan Krivaqa dhe shoku i tij, Arbër Sejdiu.
Ky i fundit më 1 shtator kishte deklaruar para prokurorit se Marigona është rrahur në mënyrë sistematike, pothuajse çdo ditë dhe se dy ditë para se të ndërronte jetë ajo ishte dhunuar fizikisht e psiqikisht për 48 orë rresht.
Që nga 25 nëntori, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, në Kosovë ka filluar fushata e 16 Ditëve të Aktivizimit kundër kësaj dukurie, e cila do të vazhdojë deri më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Instituti i Kosovës për Drejtësi sot ka lansuar Platformën Online për Ndihmë Juridike. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog këtë platformë e ka konsideruar si një nismë të rëndësishme, duke thënë se qasja në të drejta dhe njohja e të drejtave është një nga aspektet e para për të qenë në gjendje për të kërkuar drejtësi. Ai tha se dhuna në familje është një realitet i trishtuar në Kosovë.
“Pasi përkundër të gjitha përpjekjeve ekzistuese, dhuna në familje dhe format e tjera të dhunës ndaj grave janë ende një realitet i trishtuar në Kosovë. Thjesht duhet të vazhdojmë këtë luftë”, tha Szunyog