VV Dega në Klinë ka njoftuar se ka dorëzuar padinë sipas tyre për shpifje për gënjeshtrat dhe deklaratën e pavërtetë të Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Klinë.
Kjo është komunikata e plotë e VV-së në Klinë në lidhje me këtë padi:
Me datën 29/04/2024, asamblisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Qendrën tonë në Klinë, njëherit profesori dhe ish-luftëtari i UÇK-së e i burgosuri politik, Zafer Gashi ka dorëzuar Padinë për shpifje në Gjykatën Themelore të Pejës – Dega në Klinë ndaj Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Komunës së Klinës, që vjen nga radhët e LDK-së, Fadil Gashi në lidhje me deklaratën e tij të rreme në seancën e mbajtur me datën 26 prill 2024.
Kryesuesi i Kuvendit në këtë seancë duke keqpërdorur foltoren e Kuvendit Komunal ka deklaruar se ka letra që po lexohen dhe përdoren në Gjykatën Speciale në Hagë e autor i të cilave qenka asamblisti i LV-së Zafer Gashi. Ky trillim përveçse i pavërtetë vjen edhe nga dikush ndërgjegja e të cilit vet i çalon pikërisht në këtë pikë.
Kjo shpifje nuk është asgjë tjetër pos tendencë për të njollosur aktivitetin e ngjeshur politik të asamblistit tonë Zafer Gashi, veprimtarinë e të cilit e njeh e gjithë Klina që nga rinia si i burgosur politik, pastaj si luftëtar i UÇK-së, si profesor i njohur e së fundi edhe si anëtar e përfaqësues komunal nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Tendenca që të vërtetat e keqpërdorimeve e keqqverijes në Komunën e Klinës të mbulohen përmes deklaratave të tilla shpifëse dhe të pavërteta tregojnë për katandisjen e udhëheqjes komunale të Komunës së Klinës. Këto deklarata nuk do të lejojmë që të kalojnë po aq lehtë sa fjalët e daluara nga goja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, kështu që si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë së bashku me asamblistin Zafer Gashi do t’i ndjekim të gjitha instanca e drejtësisë derisa kjo shpifje të marrë epilogun e merituar.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë i bën thirrje subjektit që Kryesusesi Fadil Gashi i përket, LDK-së, që të distancohen nga deklarata të tilla të pavërteta dhe të njoftojë qytetarët se vet nuk qëndron prapa deklarimeve të tilla.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Klinë
30 Prill 2024