Këshilltari i u.d., të presidentes së Kosovës, Faton Peci i është kundërpërgjigjur anëtarit të LDK-së, Anton Berisha, pasi ky i fundit e ka konsideruar si jodiplomatike gjuhën që ka përdorur Osmani ndaj Bashkimit Evropian.
Në një postim në Facebook, Peci ka thënë se në intervistën e dhënë në Associated Press, Osmani, sipas tij, ka folur për krimet e kryera nga Serbia, për fëmijët e vrarë e gratë e dhunuara, madje duke kërkuar edhe përgjegjësi e drejtësi për ato krime.
“Në intervistën dhënë Associated Press (e publikuar tashmë anekënd botës), u.d. Presidentja Vjosa Osmani flet për krimet e kryera nga Serbia, për fëmijët e vrarë e gratë e dhunuara. Ajo kërkon përgjegjësi e drejtësi për ato krime, duke potencuar se Serbia nuk do të ndryshojë përderisa nuk ka presion mbi të nga BE-ja. Prandaj, Serbia nuk do të duhej të trajtohej si fëmijë i lazdruar përderisa udhëhiqet nga njerëz të regjimit të Millosheviqit e nuk kërkon falje për krimet. u.d. Presidentja po kritikohet e sulmohet nga i madh e i vogël në Serbi…dhe çuditërisht nga disa të “rikthyer” në LDK, parim i të cilëve është jo interesi qytetar, po ai personal“, ka shkruar Peci në Facebook.
Ndërkaq, anëtari i LDK-së, Anton Berisha, ka deklaruar se intervista e Osmanit në Associated Press, sipas tij, është shqetësuese.“Është tepër shqetësuese gjuha jodiplomatike qe ka përdorur u.d. presidentit te Kosovës, zonja Vjosa Osmani ndaj Bashkimit Evropian. Kritikat e pamatura dhe një gjuhe e pamatur ne intervistën dhënë Associated Press ndaj BE-se, vetëm mund te dëmtojnë pozicionin e Kosovës edhe ashtu te renduar”, ka shtuar ai.