Kompania “Fluidi” sh.p.k ka reaguar përmes një komunikate duke bërë të ditur se ambalazhi i kësaj kompanie është keqpërdorur nga një kompani nga Republika e Sllovakisë.
Sipas “Fluidi”, bëhet fjalë për një keqpërdorim nga një kompani nga qyteti i Bratisllavës, e cila siç thuhet tutje, ka blerë produkte të “Jaffa Champion” në Maqedoni, paketime të cilat më pas i ka zbrazur , duke i mbushur me duhan dhe rërë – më pas për të bërë kontrabandimin e tyre drejt shteteve të Evropës.
“Me anë të këtij sqarimi dëshirojmë të njoftojmë opinionin se kompania Fluidi nuk ka të bëjë fare me këtë rast dhe se e njëjta është palë e dëmtuar nga veprimet e dëmshme të kompanisë ‘Promax Stav’ s.r.o”, thuhet në reagimin e “Fluidi”.
Gjithashtu kjo kompani ka bërë të ditur se janë duke i shikuar të gjitha mundësitë për t’i vënë në funksion të gjitha mjetet ligjore në lidhje me çështjen në fjalë.
“Në emër të kompanisë ‘Fluidi’ sh.p.k i kërkojmë ndjesë opinionit publik për çdo shqetësim që mund të kenë pasur nga ky rast dhe në të njëjtën kohë ju sigurojmë se produktet e prodhuara nga ‘Fluidi’ të brendit Jaffa Champion kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbeten me kualitet dhe cilësi të lartë gjë që është dëshmuar tani më me dekada qoftë në tregun vendor por edhe në atë ndërkombëtar”, thuhet në fund të reagimit të kompanisë. /Telegrafi/
Reagimi i plotë:
Sqarim për opinionin
Për hir të informimit të drejtë dhe ruajtjes së prestigjit të kompanisë “Fluidi” Sh.p.k, njoftojmë opinionin publik se gjatë ditëve të fundit ka ndodhur një keqpërdorim i ambalazhit të produktit Jaffa Champion në paketim dy litërsh të cilin e prodhon kompania në fjalë.
Kompania Sllovake “Promax Stav” s.r.o nga Republika e Sllovakisë përkatësisht nga qyteti i Bratisllavës ka blerë produkte dy litërshe të Jaffa Champion në Republikën e Maqedonisë me ç’rast të njëjtat më pastaj i ka zbrazur po në këtë shtet duke i mbushur me produkte duhani dhe rëre (duke dhënë peshën e njëjtë që kanë pasur lëngjet në fillim) me qëllim të kontrabandimit të produkteve të duhanit në shtetet e Evropës. I njëjti më pastaj është kapur nga autoritetet Hungareze në hyrje të kufirit të atij shteti.
Me anë të këtij sqarimi dëshirojmë të njoftojmë opinionin se kompania Fluidi nuk ka të bëj fare me këtë rast dhe se e njëjta është palë e dëmtuar nga veprimet e dëmshme të kompanisë “Promax Stav” s.r.o.
përfaqësues ligjor i “Fluidi” sh.p.k jemi duke i shikuar të gjitha mundësitë për t’i vënë në funksion të gjitha mjetet ligjore në lidhje me çështjen në fjalë, përfshirë por pa kufizuar në parashtrimin eventual të padive civile në lidhje me dëmin jo material që është shkaktuar por edhe mundësinë e kontaktimit në cilësinë e palës së dëmtuar me autoritetet hungareze duke kërkuar kështu inter alia dëmet e shkaktuara nga veprimet e kundërligjshme të kompanisë “Promax Stav” s.r.o.
Në emër të kompanisë “Fluidi” sh.p.k i kërkojmë ndjesë opinionit publik për çdo shqetësim që mund të kenë pasur nga ky rast dhe në të njëjtën kohë ju sigurojmë se produktet e prodhuara nga “Fluidi” të brendit Jaffa Champion kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbeten me kualitet dhe cilësi të lartë gjë që është dëshmuar tani më me dekada qoftë në tregun vendor por edhe në atë ndërkombëtar. /Klina info/